TIRANË- Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin dhe ka lënë në fuqi dënimin për dy mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të akuzuar lidhur me rastin e vdekjes së Doriana Hakës bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit Alban Hoxha. Ata akuzohen për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e Doriana Hakës, ngjarje e ndodhur në vitin 2014, dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.
Në vendim, Gjykata e Lartë thekson se mjekët nuk kryen ekzaminimet e nevojshme dhe për këtë arsye pacientja humbi jetën, pas lindjes së fëmijës së parë.
“Të pandehurit, Anestezistja Elona Burba dhe Kirurgu Obstetër Petrit Rexhepi, ishin përpara një operacioni të planifikuar, pra ata kishin në dispozicion gjithë kohën e nevojshme që të siguroheshin se pacientes Dorjana Haka iu kryen të gjitha analizat dhe ekzaminimet mjekësore të parashikuara nga protokolli mjekësor në fuqi”, theksohet në vendim.
Gjithashtu, në vendim thuhet rezulton të jetë zbatuar protokolli mjekësor për pacienten, ndryshe nga se pretendohet nga të pandehurit.
“Po ashtu, nuk qëndron pretendimi se ndodhemi përballë komplikacioneve objektivisht të pashmangshme sipas shkencës mjekësore, pasi protokolli mjekësor parashikonte kryerjen e testit të koagulimit, me qëllim shmangin e një komplikacioni të tillë të mundshëm”, theksohet në vendin.
Mjeku gjinekolog, Petrit Rexhepi u dënua me 9 muaj burgim, që iu konvertua në shërbim prove prej 1 viti. Por gjatë kësaj periudhe, ai duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë asnjë vepër penale. Ndërkohë, reanimatorja Elona Burba u dënua me 1 vit burg, të konvertuar në dy vite shërbime prove si dhe pezullim licence.
Familja Haka nisi një përballje ligjore me drejtuesit e maternitetit “Koço Glozheni” që në vitin 2014 pasi humbën të bijën. Ata akuzojnë mjekët si përgjegjës për humbjen e jetës së Dorianës./ZËRI