BULQIZË- Pesë punonjës të kompanisë minerare ku ishte i punësuar 66-vjeçari Fari Veliu, i cili humbi jetën ditën e djeshme në një minierë kromi në Bulqizë, janë arrestuar nga policia. Siç bëjnë me dije blutë, ata akuzohen për mugesën e masave për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar. Në pranga kanë rënë: Njazi Përkola, Besnik Çupi, Ferit Truka, Ervis Kadiu dhe Edmond Xhafa, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.
Njoftimi:
Bulqizë/ Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F. Sh., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.
Minatori 66-vjeçar në Bulqizë humbi jetën ditësh e djeshme. Ngjarja ka ndodhur teksa po punonte për ndërtimin e një armature për të punuar minatorët e tjerë, ku dyshohet se një masiv minerali është shembur duke e zënë poshtë./ZËRI