ANGLI- Prej më shumë se 13 vitesh, drejtësia shqiptare dhe ajo britanike janë në kërkim të Ilir Kumbaros. Ky i fundit, një ish-zyrtar i të lartë i Shërbimit Informativ Kombëtar, i dënuar në mungesë për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Policia Metropolitane Londineze i është rikthyer kërkimeve për ta gjetur, teksa kanë publikuar apelin e siguruar nga gazetari Muhamed Veliu. Në apel kërkohet informacione nga publiku të cilat mund të zbulojnë vendodhjen e Kumbaros, teksa kanë publikuar edhe një foto të tij gjatë prangosjes në 2008.
“Ky person sot 70 vjeç, dështoi të paraqitet në 2011 pas një urdhër arresti lëshuar nga Shqipëria për krime që lidhen me rrëmbim dhe torturë personi”, thotë Metropolitan Police. Kumbaro nuk u paraqit në gjykatë, në dhjetor të 2011, ditën kur do të vendosej për ekstradimin e tij. Supozohej që ai do të mbërrinte në gjykatë rreth orës 14:00, ndërsa avokati i tij nxiti dyshime te autoritet britanike, teksa kishte pohuar se kishte komunikuar me klientin mbrëmjen e një dite më parë.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar 13 vite, nuk dihet ende asgjë për vendodhjen e tij, nëse mundi apo jo të dalë nga Mbretëria e Bashkuar. Ndërkohë që Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, e dënoi në mungesë Kumbaron me 15 vite burg. Një vit më parë, në këtë gjykatë, prokuroria tërhoqi akuzat për Arben Sefgjinin ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë dhe për Avdi Koldashin ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit në SHIK, duke i shpallur të pafajshëm duke argumentuar se akuzat ndaj tyre nuk mund të provohen.
Ish-kryetari degës në SHIK, Ilir Kumbaro, është njeriu kyç në të gjithë operacionin e shërbimit sekret shqiptarë në rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Zizo Kristopulli. Këta të 3 u rrëmbyen nga SHIK nën dyshimin se po koplotonin kundra presidentit të kohës Sali Berisha.
Sipas hetimeve, Hoxha u rrëmbye në Tiranë nga zyrtarët e inteligjencës shqiptare më 21 tetor 1995 në rrugën “Siri Kodra”, afër një magazine që ndodhet tek zona e quajtur “Frigoriferi”, ndërsa rupi i tij nuk u gjet asnjëherë.
Ndërkohë, po të shikojmë historikun e dosjes së rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes të Remzi Hoxhës prej vitit 1995, janë shumë personazhe të cilët kanë ndërruar jetë, duke vështirësuar hedhjen dritë mbi këtë krim shtetëror të asaj kohe.
Bashkim Gazide, ish-drejtues i SHISH urdhërues i këtij operacioni ndërroi jetë në Turqi në vitin 2008.
Budjon Mece, ish-punonjës i SHIK i cili sipas prokurorisë torturoi në bazën e Vainit në Lezhë, Remzi Hoxhën ndërroi jetë në Tiranë disa vite më parë.
Xhevat Hana, ish-prokuror i cili hetoi rrëmbimin dhe këmbënguli në ekstradimin e Ilir Kumbaros, ndërroi jetë në mënyrë të beftë, në një spital të Italisë në vitin 2012.
John Jones, ish- avokati mbrojtës i Ilir Kumbaros kreu vetëvrasje, duke u hedhur përpara një treni në Londër në stacionin ëest Hampstead në vitin 2016.
Ndërkohë, personat e mbetur, të cilët kanë dijeni se çfarë ndodhi me Remzi Hoxhën janë ish-presidenti Sali Berisha dhe Arben Sefgjini ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë.
Lidhur me fshehjen e tij, fillimisht policia britanike dyshonte se ai strehohej nga miqtë e tij në një qytet tjetër të Anglisë. Me kalimin e viteve kjo pistë është rrëzuar. Kumbaro mbetet për policinë shqiptare dhe atë britanike si një prej personave më të kërkuar./ZËRI