DURRËS-Pas incidentit tragjik që ndodhi në det me dy pushues anglezë në Durrës, ku humbi jetën drejtuesi i Jet Ski, është arrestuar Luis Xhumari, operator turistik, dhe akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Nga verifikimet e policisë, rezulton se viktima, 34-vjeçari Silvester Oleug, nuk posedonte lejen për drejtimin e mjetit lundrues, ndërkohë që operatori turistik që ia kishte dhënë me qira mjetin, është konstatuar në shkelje të rregullores. Bazuar në rregullore, motorët e ujit mund të jepen me qira vetëm kur drejtuesi është i pajisur me leje përkatëse.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 56 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë shkëmbit i Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh., iu ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh lundruese dhe nuk i ka pajisur me skafandra.
Ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i vdekjes së anglezit 34-vjeçar. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes apo e ndonjë problemi shëndetësor.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 të 1 qershorit, kur shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit janë njoftuar për incidentin dhe kanë reaguar menjëherë duke shkuar me mjet lundrues për të dhënë ndihmën e parë. Dy turistët anglezë po lundronin me një mjet Jet Ski, kanë humbur kontrollin dhe kanë rënë në ujë. 34-vjeçari Silvester Oleug ka humbur jetën, ndërsa vajza që e shoqëronte, Vera Ruani ndodhet në gjendje të rëndë./ZËRI
