
LEZHË-Një ditë pas vrasjes së 57-vjeçarit Pjetër Kaza në Tale të Lezhës, ngjarja vijon të mbetet pa autor. Përgjatë 24 orëve, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorit apo zbardhjen e motivit të krimit.
Policia dhe prokuroria dyshojnë se vrasja mund të jetë pjesë e një zinxhiri të gjatë gjakmarrjeje mes familjeve Kaza dhe Gjini, që ka nisur në vitin 1994 me ekzekutimin e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në Rrëshen. Për atë ngjarje u dyshuan vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën menjëherë pas vrasjes.
Tre vite më pas, në vitin 1997, vëllai i viktimës, Martin Kaza, mori hak duke vrarë vëllezërit Gjini në qendër të qytetit të Laçit. Për këtë krim ai u dënua me 22 vite burg. Hakmarrja u rikthye në 30 prill të vitit 2024, kur në Bruksel u vra Agustin Kaza, një tjetër vëlla i Pjetrit.
Trupi i pajetë Pjetër Kazës u zbulua nga bashkëshortja e tij mëngjesin e 1 qershorit, në oborrin e banesës së tij brenda makinës, ndërsa dyshohet se ai është ekzekutuar me armë zjarri me silenciator, pasi nuk është dëgjuar asnjë krismë gjatë natës. Kaza është qëlluar me plumb pas koke dhe pas shpatulle./ZËRI