KLOS- Një person është gjetur i pajetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, poshtë urës së njohur si “Fshatit Fshat”, në zonën e Klosit. Sipas informacioneve paraprake nga policia, dyshohet se viktima mund të jetë vetëhedhur gjatë orëve të natës.
“Më datë 08.12.2025, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, shtetasi K.K., rreth 39 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë, ka humbur jetën.
Si pasojë e terrenit të vështirë, pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikësve, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, njofton policia.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave. Gjithashtu, një grup shpëtimi ka ndërhyrë për nxjerrjen e trupit nga zona ku është gjetur.
Klodian Kulla që raportohet të jetë nipi i Nehat Kullës, ka ndaluar automjetin mbi urë dhe është hedhur në një lartësi prej 158 metrash duke përfunduar në shkëmbinjt e zallit të Fshatit.
Nehat Kulla i cili ndërroi jetë në 2020, një vit pasi doli nga burgu, njihej me nofkën gjenerali dhe se në vitin 1997 drejtonte një prej bandave më famëkeqe të Tiranës.
Kulla shleu dënimin në burgun e Fushë-Krujës dënimin 20 vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.
Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin e “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve.
Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.