Aktualitet

Veliaj i pandehur! Avokatët e kryebashkiakut: E mori vesh nga media! Koha të sfidojë provat e SPAK

Ata kërkojnë hetim për rrjedhjet e informacionit dhe theksojnë se Veliaj do të sfidojë çdo akuzë me prova dhe argumente ligjore.

F.I
Veliaj i pandehur! Avokatët e kryebashkiakut: E mori vesh nga media! Koha
Erion Veliaj

TIRANË-Ekipi ligjor i Erion Veliajt ka reaguar pas lajmit se kryebashkiaku i Tiranës është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pas 5 muajsh në paraburgimin e Durrësit. Avokatët në reagimin e tyre shprehen të shqetësuar për rrjedhjen e informacionit nga hetimi që po zhvillohet ndaj Veliajt.

Ekipi ligjor shprehet se fakti që mediat informohen përpara palës në proces, tregon se një taktikë jo ligjore të SPAK. Avokatët e Veliajt denoncojnë se edhe për takimin e parashikuar për nesër me SPAK-un, mediat janë vënë në dijeni përpara vetë kryebashkiakut, gjë që sipas tyre përbën një tjetër provë të manipulimit të opinionit publik dhe shkeljes së sekretit hetimor. 

Ata kërkojnë hetim për rrjedhjet e informacionit dhe theksojnë se Veliaj do të sfidojë çdo akuzë me prova dhe argumente ligjore. Njoftimi i akuzës, sipas avokatëve, do t’i japë për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, dhe të analizojë provat e prokurorisë.

Reagimi i ekipit ligjor të Erion Veliajt

Jemi thellësisht të shqetësuar që, praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj, vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë jo ligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.

Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal, tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale. Siç jemi njohur nga mediat e “SPAK”, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij.

Z. Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur.

Erion Veliajt si edhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, do t’i komunikohet akuza ditën e nesërme, të mërkurën e datës 23 korrik, në orën 11:00. Ndërsa sot në SPAK ka shkuar biznesmeni Elman Abule, i cili akuzohet për "pastrim parash". Ndërsa Veliaj  akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash./ZËRI

Poll

MOS HUMB