TIRANË-Kryebashkiaku Erion Veliaj ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.
Në padinë e tij Veliaj shprehet se emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit – pa shkollën përkatëse të Magjistraturës. Kryebashkiaku i Tiranës kërkon nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.
Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Veliaj kërkon një pezullim nga detyra për prokurorin e SPAK që e hetoi. Në shkurt të vitit 2025, pak pas arrestimit të tij kryebashkiaku kërkoi nga Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë largimin nga çështja e tij të prokurorit të SPAK, Ols Dado. Asakohe Veliaj pretendonte se prokurori "ka pёrdorur telefonin e paguar nga taksat e taksapaguesve", dhe e ka kontaktuar duke i kërkuar një leje ndërtimi për përfitimin e tij. Sipas kryebashkiakut, hetuesi ishte në konflikt interesi./ZËRI