TIRANE- Herald Jonuzaj përfaqësoi sot interesat e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese. Ai e pyeti Erion Veliajn se sa e ligjshme është që një njeri i pazgjedhur nga qytetarët si Anuela Ristani të drejtojë bashkinë për një afat të pacaktuar. Veliaj zgjodhi ti përgjigjej vetë, duke i kujtuar rastin e bashkisë Tropojë, ku Rexhë Byberi ka 11 muaj me masën e sigurisë "arrest shtëpie" dhe bashkia drejtohet nga një i deleguar prej tij.
Diskutimi në GJK
Kryeministria Herald Jonuzaj: Kompetencat e deleguara te nënkryetari. A mund të kryhen të gjitha kompetencat e deleguara? Delegimi a është në përputhje me procedurat administrative? A është në përputhje me Kushtetutetën, nenin 109,pika 2, që kompetencat të ushtrohen nga një i pazgjedhur pa afat kohor të caktuar?
Erion Veliaj: I nderuar, kjo pyetje do të ishte e ndershme nëse do t'ja bënit qytetarëve të Tropojës. Nëse për ata jeni ok që të rrinë 11 muaj pa kryetar bashkie, por kjo specifikon dhe targeton vetëm një njeri, dhe kjo nuk më duket normale. Fakti që nuk e bëni këtë pyetje, për një njeri që është në një gjendje më të gjatë se e imja po bëni diferencim. Përsa kohë kanë qenë të vlefshme delegimet e kryebashkiakut të Tropojës, nuk duhet t'ju shqetësojë as që unë kam bërë delegimin e vullnetit tim. Do ishte në dobi të vendit dhe të integritetit të zyrës që përfaqësoni që të shqetësoheni për paraburgimin dhe standardet.
Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nisi në orën 10:00 dhe i pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj që shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt./ZËRI