
TIRANË- Vijon rrëfimi i të penduarit të drejtësisë Artan Tafani. Sot, ai ka folur për vrasjen e Albi Bashaliut, ngjarje e ndodhur në Peqin. Sipas Tafanit, kanë qenë tre persona që kanë marrë pjesë në këtë vrasje, ai vetë, Laert Haxhiu dhe Lulzim Arapi, të cilët kishin marrë nga 20 mijë euro secili. Urdhrin dhe pagesën për këtë vrasje e kishte bërë një person me emrin Limi, i cili sipas Tafanit, ka komunikuar vetëm me Haxhiu.
“Si ju ka prezantuar Laert Haxhiu viktimën Albi Bashaliu para vrasjes?,”-pyeti prokurori Behar Dibra.
“Pasi ka komunikuar me Lorenc Lalën, na e ka shpjeguar edhe ne që do i bënim nder “Lilit” (Lorenc Lala). Ky i fundit e donte për dy vëllezërit Xhahysa, të cilët pretendonin se Bashaliu u kishte vrarë babanë, pra me motiv hakmarrjen. Di që ishin dy çuna qe ishin vëllezër, Enriko Xhahysa dhe një tjetër. Më tha që më kanë vrarë babanë. Pasi ka folur Laerti me Lilin, pasi na ka çu një video Enriko, një makinë e cila ishte e viktimës. Pas videos kam takuar të zotin e hallit, pra Enrikon, në qendër të Rrogozhinës më priste Enriko që të më tregonte shtëpinë e viktimës. Enriko kishte veshur një bluzë gri me kapuç, hyri në makinë u shtrri. U nisëm për në fshat më tregoi lokalin, shtëpinë, pak më lart kishte shtëpinë Enriko. Nuk kam pasur takime të tjera,"-tregoi ai.
Njëjtë si në seancën e parë, Tafani rrëfeu edhe dinamikën para dhe pas atentatit ndaj Albi Bashaliut.
“Për vrasjen përdorëm dy makina. Një “Audi” të bardhë dhe një “Mercedes Benz”. Makinën Mercedes e lamë tek një dyqan që shiste lule në autostradë. Në Gjocaj, ku kishte edhe banesën viktima, shkuam me Audin e bardhë. Pas vrasjes, shkuam me makinën e viktimës tek makina tip “Benz” dhe ikëm për në Tiranë. Makinën e viktimës e dogjëm, ndërsa gjatë rrugës çmontova edhe armën. Lili është krahu i djathtë Sajmir Taullahut (një tjetër personazh i botës së krimit në Lushnjë, rival i Aldo Bares). Lili mbante lekët e të gjithëve; të Laertit, Sajmirit, të të gjithëve. Audi” i bardhë drejtohej nga Lulzimi, ndërsa un kisha “Benz”, derisa kemi arritur në Rrogozhinë. Më pas mora Audin, Benzin e lam që ta kishim kur të ktheheshim. Lulzimi kaloi pasagjer, unë shofer, parkuam 10 metra nga vendi ku ndodhi ngjarja, viktima ka arrdhur rreth orës 8 të mëngjesit. Audi ishte te garazhdi i Elisjano Abedinit, targat i ka marrë Lulzimi diku, targat në Tiranë, të vjedhura. U rikthyem me makinën e viktimës, Lulzimi ndezi “Benzin” dhe më priste. “Audi” nuk ndezi dhe e dogjëm në vendngjarje, e dogjëm se kështu e mendova unë, kishim në makinë dy bidona benzinë. Djegia e Audit në vendngjarje nuk kishte e menduar, do e digjnim ku lashë Benzin. Për vrasjen blemë një pistoletë tip “TT” 1 milion lekë tek Bledar Berberi. Kishim edhe një armë tjetër me fishekë shumë të vegjël, që nuk u përdor në vrasje. Fishekët e TT i mbaruam, në momentin që doli pronari i lokalit, nxora këtë armën e vogël, thjesht për ta trembur. Në drejtim të Albi Bashaliut qëllova 6 herë. Mbaj mend që 2 herë e qëllova në gjoks dhe 4 herë në kurriz."
Pas vrasjes, tregon se vijoi jetën si normalisht. Madje udhëtonte dhe bënte pushime.
“Pas vrasjes së Bashaliut qëndorja gjithmonë nën shoqërinë e Laert Haxhiut. Shkonim në Sarandë, në Valbonë, dilnim nëpër restorante për dreka dhe për darka. Gjatë kësaj kohe Laert Haxhiu na thotë që duhet të grabisim një makinë, dolëm për të parë në Elbasan, Durrës, Tiranë dhe Rrogozhinë. Ku të shikonim makinë që na pëlqente, ndalonim dhe e merrnim, dy herë e kemi bërë. Një makinë e morëm afër “Palma Novës”, një tip “Benz”, që na pëlqeu. I thamë “Ndal, policia!”: Ishte një çift që po rrinin mbrapa. Unë u prezontova si polic, i thashë keni parkuar keq dhe duhet të dilni nga makina. Ai çuni e kuptoi që ne do i merrnim makinën dhe na tha sa lekë doni, pasi e kuptoi që ne nuk ishim policia. Unë kisha pistoletën në dorë dhe e kapa nga krahu, i thashë dil jashtë. E godita një herë atë…"
Po ashtu, në seancën e sotme tregoi edhe sesi ishte organizuar vrasja e mikut të Aldo Bares, Kujtim Meta. Për këtë të fundit tregoi se porosia i kishte ardhur nga vetë Laert Haxhiu.
“Tentuam sërish të vrisnim Kujtim Metën dhe në vëzhgim po e mbante Dorian Shurdhi. Por Dorian Shurdhi nuk deshte ta vrisnim, sepse kishte frikë se identifikohej nga kamerat e sigurisë. Unë me Laertin flisja në telefon dhe i tregoja për situatën dhe ai filloi të shante Dorianin dhe këmbëngulte që të bëhej vrasja. Më pas Laerti më dha informacion se Kujtimi ishte afër një lokali dhe më tha shko afrohu se e ke aty. Isha me një kapele në kokë dhe një pistoletë tip “Zastava” me silenciator. Shkova tek dera e lokalit, Kujtimi ishte duke pirë kafe i vetëm, unë Kujtimin e kisha parë nga Facebook, ma kishte treguar Laerti dhe e njoha. Sapo e pashë nxora armën dhe e godita drejt dhe ai hidhet nga karrigia dhe përpiqet të ikë, unë e qëllova prapë, i qëllova me 8 fishekë,"-tregoi i penduari i drejtësisë.
Kjo është hera e dytë që Tafani flet para gjykatës. Ai u vu në pranga pas një grabitjeje që bëri në zonën e Astirit ku dhe la gjurmë që çuan në identifikimin e tij. Artan Tafani ka zbardhur të paktën 17 krime të kryera nga banda e Laert Haxhiut. ‘Puna’ e parë që bëri për Laert Haxhiun ishte një vendosje tritoli. Artan Tafani ka rrëfyer dhe mënyrën se si është përfshirë në vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë, një krim që ai thotë se ishte ‘dhuratë’ për një mik të vjetër të Laert Haxhiut nga Greqia. Një tjetër episod i rrëfyer nga Tafani ka qenë edhe vrasja e Klisman Xhaferri, i riu që u ekzekutua në Korçë si dhe dinamika e vrasjes së Elton Mermalit. Ai treguar gjithashtu se Laert Haxhiu kishte planifikuar për të vrarë edhe persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, atë të Lushnjës Merita Selimi si dhe për tentativën për të vrarë avokatin Adriatik Guri, të cilin Tafani e kishte dhe kushëri./ZËRI