
SPANJË- Një tjetër 'sulm' kundër bandave në Katalonjë ka zbuluar një skemë të mirëmenduar mashtrimi dhe zhvatjeje parash. Sipas mediave spanjolle, një organizatë kriminale ndërkombëtare ka mashtruar dhe ka përvetësuar 429 mijë euro duke përdorur metodën "SIM Swapping".
Agjentët e Policisë kanë kryer 14 kontrolle në Tarragona dhe disa pika në zonën e Barcelonës, 4 banesa janë kontrolluar në Zvicër dhe gjithsej kanë vendosur në pranga 16 persona. Po sipas mediave vendase, mes të prangosurve ka persona me kombësi shqiptare, spanjolle, dominikane, ekuadoriane, venezueliane dhe hondurase. Por identiteti i tyre nuk është bërë me dije.
Të gjithë ata akuzohen se i përkasin një organizate kriminale, në "emër" të të cilës kanë kryer disa transferta bankare duke marrë paratë e më shumë se 100 personave.
Hetim në bregdetin katalanas për mashtrimet e ‘Trinitarios’
Operacioni i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile, i cili filloi në dhjetor 2021, u fokusua në hetimin e njerëzve të lidhur me organizatën rinore Trinitarios, kryesisht në qytetet e Tarragonas dhe Barcelonës. Të arrestuarit merrnin shuma të mëdha parash përmes mashtrimeve kompjuterike, të cilat më pas ua transferonin anëtarëve të bandës me seli në Zvicër. Fillimisht u identifikuan rreth 30 viktima, të dhënat personale dhe bankare të të cilëve u morën përmes kodit që kishin të instaluar të arrestuarit në pajisjet e tyre kompjuterike.
Por si vepruan?
Të arrestuarit u merrnin të dhënat e kartave SIM viktimave të tyre. Kështu, ata përgjonin komunikimet bankare të viktimave dhe merrnin kodet e verifikimit të bankave që dërgoheshin me SMS. Më pas, hapnin llogari të reja duke përdorur identitetin e viktimave të tyre dhe shumat që u vidhnin nga llogaritë e tyre bankare i çonin në Zvicër./ZËRI