BELGJIKË- Autoritetet belge kanë publikuar foton e autorit të dyshur për vrasjen e Agustin Kazës, më 28 prill 2024, në Belgjikë. Policia belge kërkon të identifikojë autorin përmes fotos së publikuar, teksa për këtë kërkon ndihmën e qytetarëve nëse kanë informacion për vendndodhjen e autorit të dyshuar të vrasjes. Ky është i dyshuari i tretë, pas dy autorëve të dyshuar, të cilët janë publikuar më herët nga autoritetet belge. Policia kërkon ndihmë për të identifikuar një burrë me trup të shëndoshë, të veshur me xhinse gri të errëta, një bluzë me kapuç të zi dhe kapelë të zezë.
Në maj të vitit 2024 u publikuan pamjet e të dyshurit të parë. Ai kishte veshur një kostum të errët me një vijë të kuqe në shpatulla, kapelë dhe kapuç. Lëvizte duke çaluar dhe u pa duke u larguar drejt Rue Ernest Laude. Autoritet belge më vonë dhanë urdhër kërkimi për një person të dytë i dyshuar, 1.80 m i gjatë, me trup mesatar, fytyrë të dobët, flokë të errët dhe mustaqe. I veshur me xhinse gri të errëta dhe një xhaketë të zezë me kapuç.
Mediat belge raportojnë se policia belge ka lëshuar një urdhër të tretë kërkimi në kuadër të hetimeve për vrasjen e Agustin Kazës. Zyra e prokurorit publik të Brukselit ka publikuar deri tani tre njoftime zyrtare kërkimi, për tre persona të ndryshëm, që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ngjarje.
Kaza u qëllua me armë zjarri në tarracën e një kafeneje shqiptare mbrëmjen e 28 prillit 2024. Ai ishte në koma për shkak të dy plumbave që kishte marrë në kokë dhe dy të tjetër në gjoks. 45-vjeçari rezulton se është vëllai i Martin Kazës, i cili është dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Korrik të vitit 1997 në Mirditë. Kjo histori familjare ka bërë që vrasja për hakmarrje të jetë një nga pistat që po hetohet nga policia belge, por nuk përjashtohet edhe mundësia që Agustin Kaza të jetë i përfshirë në trafikun e drogës. Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë./ZËRI

