
DIBËR- Pak ditë më parë Eleonora Toçi, 24 vjeç, u vra nga bashkëshorti i saj Lulzim Toçi 30 vjeç. Por ngjarja tragjike ka lënë pasoja edhe në familjen e të ndjerës. Mehmet Gjura, babai Eleonorës, në një intervistë për News24, akuzon krushkun dhe krushkën e tij, prindërit e Lulzimit, për krimin e rëndë. Në rrëfimin e tij, Mehmet Gjura shprehet se krushku i tij i ka borxh gjakun e vajzës dhe për këtë ai thotë se i ka çuar edhe fjalë. Ai ngre dyshime lidhur me pretendimet se dhëndri i tij vuante nga probleme të shëndetit mendor.
“Jo, nuk kemi komunikuar me krushkun, pasi është ai që i ka bërë këto gjëra. Ai ka marrë asistencën këtu, 257 mijë lekë dhe i ka lënë pa bukë. Djali i tij nuk ka qenë i sëmurë, ai ka pasur tre veta në shtëpi. Pse nuk i vrau të tre po vrau vajzën time? Ai ka qenë normal, nuk ka qenë në depresion. Nuk ka pasur ndonjë tradhëti as ndaj vajzës sime, as ndaj atij. Unë i kam çuar bukë vajzës sime, këta nuk i çonin bukë. Po të ishte i sëmurë do kishte vrarë edhe fëmijët e vetë. I ka tmerruar edhe fëmijët e vetë. Vrau vajzën time. Ai ka qenë normal. Unë e prita 3 ditë, sipas zakonit dhe kanunit, por ai s’më solli asnjë haber. Unë ia kam dërguar një haber: i kam thënë që sot e një mijë vjet më ke borxh gjakun e vajzës. Qazim Laci i ka shkuar dhe i ka thënë or ti Bashkim mos bëj shpifje kot. Je gabim. Unë e prita 3 ditë, sipas zakonit dhe kanunit, por ai s’më solli asnjë haber. Unë ia kam dërguar një haber: i kam thënë që sot e një mijë vjet më ke borxh gjakun e vajzës. S'më ka kthyer përgjigje. I kam çuar haber përmes nipit të tij,"-tha në rrëfimin e tij.
Po ashtu, babai i të ndjerës kërkoi nga shteti që të ndihmohet për sjelljen në Shqipëri të trupit të pajetë të të ndjerës, duke u shprehur se nuk ka mundësi financiare.
"Kërkoj nga shteti shqiptar, nga ambasada, që të më sjellin trupin e vajzës nga Italia. Jam copë-copë nga gjendja ekonomike. Unë s’kam bukë të ha dhe jo të marrë trupin e vajzës ta sjell në Shqipëri. Të jetë për ekonominë time ajo varroset në Itali,”- rrëfen babai i Leonorës.
Eleonora Toci kishte vetëm disa javë që ishte bashkuar me të shoqin në Itali. Por u vra nga i shoqi i saj mbrëmjen e 8 tetorit, në shtratin e tyre, në sy të dy fëmijëve të mitur, 4 dhe 6 vjeç. Kanë qenë fëmijët që me një video-telefonatë i kanë treguar tezes trupin e vdekur të nënës së tyre, duke i thënë: Babi vrau mamin!
Autori i vrasjes, Lulzim Toci u largua dhe shkoi në shtëpinë e të vëllait, atje i tregoi gjithçka kunatës së tij, e cila menjëherë lajmëroi Policinë italiane. Sipas mediave italiane, Eleonora kishte shkuar në Itali nga Shqipëria për t'u ribashkuar me bashkëshortin e saj, i cili kishte nisur punë në bujqësi. Me vete kishte marrë edhe dy fëmijët e saj të vegjël, pasi donte t'u garantonte një jetë ndryshe dhe më komode.
Por ëndrrat e tyre mbetën në mes.../ZËRI