
ITALI- Eleonora Toci kishte vetëm disa javë që ishte bashkuar me të shoqin në Itali. Por u vra nga i shoqi i saj mbrëmjen e 8 tetorit, në shtratin e tyre, në sy të dy fëmijëve të mitur, 4 dhe 6 vjeç. Kanë qenë fëmijët që me një video-telefonatë i kanë treguar tezes trupin e vdekur të nënës së tyre, duke i thënë: Babi vrau mamin!
Autori i vrasjes, Lulzim Toci u largua dhe shkoi në shtëpinë e të vëllait, atje i tregoi gjithçka kunatës së tij, e cila menjëherë lajmëroi Policinë italiane. Sipas mediave italiane, Eleonora kishte shkuar në Itali nga Shqipëria për t'u ribashkuar me bashkëshortin e saj, i cili kishte nisur punë në bujqësi. Me vete kishte marrë edhe dy fëmijët e saj të vegjël, pasi donte t'u garantonte një jetë ndryshe dhe më komode.
Por ëndrrat e tyre mbetën në mes...
Lulzimi u arrestua. Marrja në pyetje zgjati disa orë sepse ai nuk e kuptonte mirë italishten dhe duhej një përkthyes. Pasi përkthyesi shkoi pranë tij, shqiptari i tha se ishte në gjendje shoku dhe nuk mbante mend atë që kishte ndodhur.
"Nuk e di pse e bëra,"-ishte fjalia e vetme që ai tha.
Madje nuk u dha asnjë motiv hetuesëve të ngjarjes. Fillimisht u fol për një mosmarrëveshje mes çiftit, hipotezë që më pas u hodh poshtë për shkak se Lulzimi nuk e përmendi, ashtu edhe për shkak se fqinjët nuk raportuan se kishin dëgjuar ulërima apo zhurma të çuditshme nga fqinjët e tyre.
"Ne i njihnim pak, sepse sapo kishin ardhur për të jetuar këtu. Megjithatë nuk kishte asnjë shenjë që mund të na shtynte të mendonim se do të ndodhte ndonjë tragjedi e tillë. Nuk kemi dëgjuar kurrë asgjë, asnjë argument apo ndonjë diskutim. Madje edhe natën e krimit u zgjuam pasi dëgjuam ambulancën dhe Policinë,"-tha një prej fqinjëve të çiftit.
Xhelal Toçi, babai i 30-vjeçarit Lulzim Toci, i cili mbyti bashkëshorten në banesën e tyre në Itali në sy të fëmijëve të mitur, ka rrëfyer se i biri vuante nga depresioni. Ai tregoi se Toci merrte mjekim për depresion dhe mjeku, gjatë vizitës në spitalin në Tiranë, e kishte paralajmëruar.
"Më tha mos e lë djalin vetëm, se do të bëjë ndonjë gjë të madhe. E kam marrë vesh lajmin në 12 të natës. Më mirë qeveria ta vrasë djalin tim, më mirë të ishte vrarë fëmija im, e varrosja, asgjë. Ishte vajzë e mirë, por ngatërresa ka.
Babai i autorit tregoi se i biri ishte divorcuar nga Eleonor, por u rikthyen sërish bashkë dhe 24-vjeçarja shkoi të jetonte me të në Itali.
“E kam marrë vesh lajmin në 12 të natës. Më mirë qeveria ta vrasë djalin tim, më mirë të ishte vrarë fëmija im, e varrosja, asgjë. Ai ka qenë i sëmurë, faji është i imi. Ka kohë që ka kaluar në depresion. Unë e kam më të rëndë se familja e vajzës, nusja ime shkoi, edhe djali prapë i ikur është. Jemi të frikësuar, na ka thënë Policia të mos dalim. Kanë qëndruar këtu, na kanë marrë në mbrojtje,”- tha babai i autorit./ZËRI