
TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit, e cila ka dënuar me burg 4 të akuzuarit për vrasjen e Fatjon Bicit në Gramsh, në maj të vitit të shkuar. Edhe Apeli në seancën e sotme la në fuqi dënimin me 46 vite burg në total për 4 adoleshentët që vranë të miturin.
Por edhe seanca e sotme u zhvillua me tensione, pasi mbrojtja kërkoi që të mos pranohej gjykim i shkurtuar. Për ta më e drejtë ishte që çështja të kthehej edhe njëherë për rishqyrtim në shkallën e parë, ose në Apel. Kjo pasi prej më shumë se një jave, Ergi Karaj dhe Orgito Çarçiu kishin lënë ambientet e qelisë me një masë më të butë sigurie “arrest në shtëpi”. Tashmë, duke qenë se vendimi është i formës së prerë pritet që të rikthehen në qeli.
Pas seancës, Mustafa Bici, babai i Fatjonit, kërkoi që të vendoset drejtësi për të birin. Ai tha se me vendimin që caktoi Gjykata e Apelit të Tiranës e vranë sërish për herë të dytë. Para mediave të pranishme para Gjykatës, Mustafa Bici bëri thirrje që autorët të marrin dënimin, ndryshe paralajëmroi se do të kryente vetëgjyqësi.
“Përshëndetje unë quhem Mustafa Bici, jam i ati i Fatjonit. Kam një vit e gjysmë që merrem këtyre dyerve dhe prap nuk e gjeta drejtësinë me gjyqin që u dha këtu në Tiranë. Ngeli dënimi po që dha Gjykata e Elbasanit. Unë me të nuk jam dakord, çfarë ësëhtë 18 vite burg për kriminelin? A është e drejtë kjo? Aq më keq që mua më vranë për së dyti! Krimineli mbas kësaj këtyu të iki të shkojë në shtëpi, i burgosur, e bënë gjumin tek i ati, kurse im bir tretet në dhe, e më së fundmi këta këtu japin po vendimin e Elbasanit. Nuk jam i kënaqur me vendimin që kanë dhënë ata, dua dënimin që iu takon atyre, jo ulje dënimi. Dua dënimin e plotë, siç iu takon. Të marrin masat, se unë do bëj gjë tjetër, nuk duroj dot më. Kam ndejtur shumë në heshtje, por kur rri në heshtje qënka më keq sepse të shtypin me këmbë. Siç bënë çunin tim do bëj unë. Ai bëri vrasje, të vej pas 1 viti e gjysmë në shtëpi e çuni im të tretet në dhe, unë do bëj tre. Asgjë, se kështu qenka shteti. A është e drejtë kjo të lejohet kjo? Se ka fajin kjo këtu, Gjykata e Elbasanit pse e vonoi çështjen? Deri në këtë që ata të përfitonin dhe të vinin në shtëpi, për çfarë arsye? Sepse s’kam bërë zë se kam pritur drejtësinë. Drejtësi këtu në Shqipëri nuk ka më, kjo ka mbetur tek ju, e zgjidhët hallin mirë, po nuk e zgjidhët do të bëj atë që fola,”- tha babai i viktimës.
15-vjeçari Fatjon Bici ishte nisur për në shkollë, por se nuk u kthye më prej andej. Ai u vra me thikë në zemër, pasi u fut për të ndarë sherrin mes kushëririt të tij dhe bashkëmoshtarëve. Ngjarja e rëndë u shënua më 16 Maj 2023, vetëm pak metra larg shkollës ku 4 adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për ta mbrojtur.
Ergi Karaj u dënuar 12 vite burg për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, 10 vite burg për veprën penale plagosje dhe 10 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë dhe 5.5 vite për armë mbajtje. Në total, ai u dënua 27 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar. Për të, Gjykata vendosi përfundimisht 18 vite burg. Orgito Çarçiu u dënua për katër vepra penale 21 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar ai do të vuajë 14 vite burg. Xhonatan Çekrezi u dënuar nga gjykata për 4 vepra penale me 12 vite burg, në gjykim të shkurtuar 8 vite, ndërsa Stiven Murati u dënua me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg./ZËRI