TIRANË- Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin në lidhje me atentatin në Rinas ku mbeti i vrarë, krahu i tij i djathtë, Gilamando Dani dhe ish-agjenti i AMP, Muçi Shaljani. Mësohet se Shullazi do të pyetet në ambientet e paraburgimit 313, nëse ka dyshime për persona të caktuar që kanë organizuar atentatin ndaj Gilmando Danit.
Deri më tani është cilësuar një atentat mafioz, ndërsa mbetet e paqartë nëse Shullazi do të japë detaje, emra të caktuar të dyshuar, apo do të heshtë përpara hetuesve. Ndërkohë, bëhet me dije se gjatë ditëve të fundit, Prokuroria ka marrë dëshmitë e disa personave që kanë qenë në Rinas, pasi ka dyshime se grupi kriminal mund të ketë pasur informatorë në aeroport, të cilët kanë njoftuar për lëvizjet e viktimave para ngjarjes.
Por, kush është Gilmando Dani?
I konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ai ishte një emër tejet i njohur për drejtësinë. I përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe pre e të paktën dy atentateve në të shkuarën. Dani u dënua me 12 vjet burg për gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqaj, pronar i ish-hotel "Vollgës" në Durrës, bashkë me pjesëtarë të tjerë të grupit të Shullazit.
Mësohet se Dani ka lënë qelinë në tetor të vitit 2024, pasi kishte kryer tre të katërtën e dënimit. Gilmando Dani, mik i një prej eksponentëve më të lartë të krimit në Tiranë, Emiljano Shullazi, udhëtonte si pasagjer në një mjet luksoz tip "Benz", me një mikun e tij, i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital. Ky nuk është atentati i parë ndaj Gilmando Danit, të paktën nga ngjarjet që janë bërë publike, pasi në Janar 2015 ai është tentuar të vritet në mes të Tiranës.
Më 11 nëntor, 10 vite më pas, Gilmando Dani nuk pati fat në atentatin e dytë që u krye në një nga zonat em sigurinë më të lartë në Tiranë, pranë rrethrrotullimit të aeroportit.
Si ndodhi ngjarja?
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit 'Nënë Tereza', teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ky i fundit ndërroi jetë disa ditë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të marra.
Ndaj automjetit të tyre 'Benz' u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit./ZËRI