Aktualitet

Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ “Blindohet” gjykata, sot masa e sigurisë për autorin, xhaxhain e tij dhe rojen e sigurisë

Seanca në ngarkim të Elvis Shkambit, Gjon Shkambit dhe Banush Koxhajt, po mbahet në Dhomën Penale të Gjykatës, me dyer të mbyllura dhe nën masa të forta sigurie.

zh.ll
Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ “Blindohet” gjykata, sot masa e
elvis shkambi-gjon shkambi-astrit kalaja

TIRANË- Tre të arrestuarit për vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja, do të njihen sot para gjykatës me masat e sigurisë.  Seanca në ngarkim të Elvis Shkambit, Gjon Shkambit dhe Banush Koxhajt, po mbahet në Dhomën Penale të Gjykatës, me dyer të mbyllura dhe nën masa të forta sigurie.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre të arrestuarit: Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj. Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), 30-vjeçari Elvis Shkambi do të përballet me tre akuza: “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”. 

Sipas Prokurorisë, xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi dyshohet se kishte dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër. Në të njëjtën kohë, Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit. 

Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ai nuk ka ndërhyrë pavarësisht se detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin e detyrueshëm në librin e protokollit, siç kërkohet për çdo person që hyn në institucion./ZËRI

Poll

MOS HUMB