ITALI-Renato Xyke, 20-vjeç është autori i dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Montecalvoli, në provincën e Pizës. Mediat italiane raportojnë se 20-vjeçari u arrestua teksa ndodhej në një Range Rover-i gri së bashku me prindërit dhe motrën e tij në segmentin e autostradës A1 që kalon në zonën e Arezzos.
Autori i vrasjes së bashkëkombasit të tij ishte nisur në drejtim të Romës, teksa shoqërohej nga babai, nëna dhe motra e tij, të cilët me sa duket po e ndihmonin të arratisej. Emri i tij është i njohur për forcat e rendit për krime kundër personave dhe trafik droge. Ai jeton në Santa Maria a Monte, komunën ku ndodhi krimi, ndërsa arma e vrasjes u gjet në shtëpinë e tij.
Kevin Muharremi u qëllua mëngjesin e 14 shkurtit me një plumb në qafë teksa ndodhej në automjet me dy miq të tij. Ai ishte ulur në sediljen e përparme, në anën e pasagjerit, kur një automjet tjetër iu afrua dhe nga aty u qëllua me armë zjarri. Një prej plumbave e ka goditur në qafë, duke i shkaktuar vdekjen.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar motivin e krimit. Nga informacionet e para dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur në kulmin e një sherri, që mendohet të ketë nisur më herët në një bar në zonën Capanne. Pista kryesore mbetet ajo e një konflikti të përshkallëzuar, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e një atentati të paramenduar./ZËRI

