ITALI-Është arrestuar në Arezzo autori i dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Montecalvoli, në provincën e Pizës. Sipas mediave italiane, i ndaluari, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur, është një bashkëkombës i viktimës. Ai u bllokua nga forcat e rendit në segmentin e autostradës A1 që kalon në zonën e Arezzos, ndërsa për ngjarjen po hetojnë karabinierët e komandës provinciale të Pizës.
Sipas të dhënave paraprake, Kevin Muharremi u qëllua me një ose më shumë plumba teksa ndodhej në automjet me dy miq të tij. Ai ishte ulur në sediljen e përparme, në anën e pasagjerit, kur një automjet tjetër iu afrua dhe nga aty u qëllua me armë zjarri. Një prej plumbave e ka goditur në qafë, duke i shkaktuar vdekjen.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar motivin e krimit. Nga informacionet e para dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur në kulmin e një sherri, që mendohet të ketë nisur më herët në një bar në zonën Capanne. Pista kryesore mbetet ajo e një konflikti të përshkallëzuar, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e një atentati të paramenduar./ZËRI

