
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen e 14-vjeçarit Mario Përlleshi, i cili vrau me thikë bashkëmoshatrin, Martin Cani në shkollën "Fan Noli". Përlleshi do të gjykohet nga Gjykata e Tiranës me akuzën "vrasje në rrethana të tjera cilësuese' ndaj një të mituri.
Në seancën e sotme morën pjesë edhe prindërit e viktimës, Ëngjëll dhe Florina Cani. Në seancë është paraqitur edhe shoku i tij, Luis Meçe i cili mbeti i plagosur gjatë konfliktit. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, edhe pse në seancën e kaluar nëna e të ndjerit kërkoi që të zhvillohej me dyer të hapura.
Jashtë ambienteve të Gjykatës, Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur u shpreh se është gati të dëshmojë në gjyq, nëse i kërkohet.
“Nuk e kam përjetuar mirë seancën, por dua të them se kërkojmë drejtësi. Jam gjithnjë i gatshëm të dëshmoj në gjyq nëse më kërkohet”, tha ai.
Ndërsa avokati u shpreh se së shpejti do të jetë seanca për gjykim të çështjes në themel, ndërsa u shpreh se duhet të shqyrtohet të gjitha provat shkencore. Ai shtoi se pjesë e diskutimit në seancën e radhës do të jetë edhe pretendimet që kanë ndaj ekspertizës mjeko-ligjore.
“Gjykata sot vendosi që çështja të kaloj sipas akuzës së prokurorisë për gjykim themeli. Pavarësisht pretendimeve të palëve në proces, Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë. Shpejt do të kemi një gjykim themeli. Kërkesa jonë vazhdon të jetë po e njëjta dhe e pandryshueshme zbardhja e çdo momenti të errët dhe çdo problematike të ngjarjes. Mendojmë që hetimi paraprakë fillestar i Policisë dhe i disa organeve të tjera shtetërore hetuese, nuk ka qenë aty ku duhet, kjo është një diskutim dhe pretendim i joni, i cili do të shqyrtohet në Gjykim Themeli. Sot japim prap të njëjtin mesazh që çështja duhet të zbardhet dhe duhet të vihet drejtësia pasi ky është në interes të gjithë shqiptarëve. Prokuroria dhe Gjykata do të thërrasë të gjithë dëshmitarët që kanë dhënë deklarimet e tyre. Duhet të shqyrtohen të gjitha provat shkencore që janë marrë dhe administruar. Kemi pretendime lidhur me ekspertët mjeko-ligjorë dhe ekspertizën përsa i përket plagëve të shkaktuara për të dy viktimat dhe faktin nëse ka persona të tjerë të përfshirë në çështje, do jetë pjesë e diskutimit në gjykimin e themelit”, ka thënë avokati.
Ndërsa nëna e viktimës, ka thënë që do të ndjekin procesin deri në fund.
“Do e ndjekim herë pas herë, për sot jemi dakord me aq sa dëgjuam dhe arritëm në këtë seancë dhe do jemi përsëri këtu”, tha ajo.
Ndaj Mario Përlleshit rëndon akuza për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave, në dëm të Martin Canit dhe Luis Meçja. Përlleshi prej nëntorit të 2024, mbahet në instuticionin e të miturve në Kavajë, pasi u arrestua pas vrasjes së bashkëmoshatarit tij në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Si ndodhi krimi?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI