
TIRANË- Fabjol Hysi është ende në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa ende merr mjekimin në spitalin e Traumës në Tiranë. 43-vjeçari me aftësi të kufizuara në të folur dhe të dëgjuar u dhunua me grushta dhe me gurë nga dy të rinj, Enea Korreshi (17 vjeç) dhe Irdi Nasufi (20 vjeç), të cilët i çanë kafkën dhe më pas e braktisën 43-vjeçarin me aftësi ndryshe.
Në dëshminë e tyre të parë, të dy janë shprehur se e kishin dhunuar 43-vjeçarin pasi ai i kishte ofenduar, por pretendimet e tyre janë marrë me rezerva për shkak se Hysi nuk është në gjendje të flasë apo dhe të dëgjojë. Ndaj hetuesit, do të duhet që të shqyrtojnë pamjet filmike që kanë kapur bizneset aty pranë, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në Lushnje.
Fatbardha Hysi, nëna e 43-vjeçarit ka treguar dje i biri është ende në reanimacion dhe i intubuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Po ashtu, ajo tregoi se i biri shkonte në xhami këto kohë pasi agjëronte dhe atje konsumonte dhe iftarin.
“Fabjoli është në reanimacion, i intibuar. Mjekja që e operoi më tha që do heqin tubin, do i zvogëlojnë ilaçet të shohin si do reagojë ai. Sot do fillojnë dhe të shohim si do jetë sot dhe nesër. Nuk ka pasur probleme me fëmijët, nuk është bullizuar. Ka qenë operuar në Greqi që 15-vjeç, ka vuajtur. Vetëm në kokë të mos e kishin goditur. Ka shokë, ka shkuar dhe te Radio Lushnja, shokët e tij i ka ndihmuar, nuk ka qenë i bullizuar. Djali ishte në xhami, shkonte çdo ditë hante iftarin. Ora ka qenë 8:20. Ata rrinë atje, ai kishte dalë vetëm atë natë. Nuk e di a i njeh, ata janë adoleshentë. Asnjërin nuk njoh, vetëm atë me mbiemër Korreshi njoh, atë tjetrin jo. Nuk jetojmë në një lagje, kemi 18 vite që kemi ikur. Ata nuk kanë qenë pjesëmarrës në xhami. Fabjoli mbante ramazan, konsumonte iftarin aty. Xhamia është 100 metër larg kryqëzimit, ai ishte vëtëm. Problemi i tij është që nuk dëgjon dhe nuk flet, ka bërë shkollën në medrese, 8-vjeçare. Nuk ka pasur shkollë tjetër te në. Është i aftë të lëviz, nuk ka probleme të tilla. Nuk e di çfarë ka ndodhur, asnjë konflikt nuk ka pasur. Do ta kenë ngacmuar dhe bulizuar ata,”- tha nëna e 43-vjeçarit.
Aktualisht, Gjykata e Fierit vendosi të linte në burg Nasufin, ndërsa Korreshi edhe për shkak të moshës së tij, është në masën "detyrim paraqitje". Lidhur me ngjarjen, hetimet vazhdojnë./ZËRI