DURRËS- Gjykata e Durrësit ka vendosur "lirimin me kusht" për Arbër Paplekaj, i cili ishte dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2021. Më datë 11 nëntor, Paplekaj pati përfituar 90 ditë ulje dënimi po nga Gjykata e Durrësit, ndërsa në qershor të këtij viti Paplekaj depozitoi kërkesën për lirimin me kusht. Në kërkesë, ish-efektivi i RENEA-s ka argumentuar se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit, ndaj edhe kërkon lirimin nga qelia.
Arbër Paplekaj, ish-efektiv i Forcave të Armatosura, ishte dënuar fillimisht me 22 vite heqje lirie nga Gjykata e Elbasanit. Masa e dënimi u reduktua ndjeshëm me 7 vite nga Apeli i Tiranës, me rikualifikimin e veprës penale, nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
VENDIMI
1.Pranimin e kërkesës së kërkuesit A.P.
2.Lirimin me kusht të kërkuesit (të dënuarit) A.P, për pjesën e mbetur të pavuajtur prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë burgim.
3.Në bazë të neneve 61 dhe 64 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P.të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës gjatë periudhës prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë dhe të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës së mësipërme.
4.Bazuar në nenin 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P. të mos shoqërohet me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.
5.Urdhërohet lirimi A. P. nga Dhomat e burgimit të I.E.V.P Durrës nëse nuk mbahet i arrestuar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
6.Një kopje e këtij vendimi i dërgohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për zbatim.
7.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
U shpall më datë 16.12.2025
Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit?
Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.
Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri./ZËRI