Aktualitet

DETAJET-Vrasja e turistit në Ksamil/ U godit 7 herë me thikë dhe u hodh në det, gjurmë gjaku në Principote

Pasi trupi u kthye në shpinë, ekspertët evidentuan një zonë dëmtimesh ne anën e majtë, me përmasa rreth 16 me 17 centimetra.

M.K.
DETAJET-Vrasja e turistit në Ksamil/ U godit 7 herë me thikë dhe
Luis Miguel Varela Mendes

KSAMIL- Detaje të reja vijojnë të zbardhen nga hrtimet e vendit të ngjarjes ku humbi jetën 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Të dhënat janë dokumentuar në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe japin detaje mbi plagët e konstatuara në trupin e të riut, si dhe gjurmët e gjakut të gjetura në ambientet e “Principote”.

Sipas dokumentit, trupi i viktimës u gjet i shtrirë në një sipërfaqe me rërë, mes shezlloneve. 20-vjeçari ishte pa rroba në pjesën e sipërme të trupit, ndërsa kishte veshur pantallona blu dhe atlete të zeza. Në veshje u konstatuan njolla të kuqërremta me karakteristika të ngjashme me gjakun.

Gjatë këqyrjes së trupit u evidentuan disa dëmtime. Në pjesën e majtë, poshtë gjoksit, u konstatua një plagë me buzë të çrregullta, me përmasa rreth 1.5 me 1,5 centimetra. Një tjetër dëmtim në formë vije u gjet në pjesën e ijes, ndërsa nga të dyja plagët kishte rrjedhje gjaku.

Dëmtime janë konstatuar edhe në pjesën e pasme të trupit. Pasi trupi u kthye në shpinë, ekspertët evidentuan një zonë dëmtimesh ne anën e majtë, me përmasa rreth 16 me 17 centimetra.

Brenda kësaj zone janë evidentuar shtatë dëmtime të ngjashme me plagë të shkaktuara nga një mjet prerës.

Gjurmë gjaku janë gjetur edhe në disa pika të tjera të ambientit. Rreth 11 metra nga pika orientuese, në anën jugore të verandës së “Principote”, ekspertët konstatuan mbetje gjaku mbi dyshekun e një shezlloni.

Rreth 3.1 metra më tej, në një tjetër shezllon prej dërrase, u gjet një njollë gjaku. Gjurmë të tjera u evidentuan edhe në dyshemenë e verandës së lokalit, ku gjaku ishte shpërndarë në formë rrjedhjeje.

Këto të dhëna janë pjesë e provave materiale të administruara në kuadër të hetimit dhe pritet të ndihmojnë në rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes, e cila përfundoi me vdekjen e 20-vjeçarit portugez.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta te vrasjes dhe rolin e personave të përfshirë në konflikt./ZËRI

Poll

MOS HUMB