
ITALI- Klajdi Mjeshtri u dënua me 12 vite për vrasje nga pakujdesia. Prindërit dhe të afërmit e Giuseppe Tucci, zjarrfikësit 34-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me grusht nga shqiptari, u tronditën kur mësuan dënimin. Gjyqtari i seancës paraprake, hoqi akuzën e vrasjes me dashje, duke mos pranuar pretencën e prokurorisë që kërkoi 20 vite heqje lirie për shqiptarit. Sipas mediave italiane, në momentin kur u formulua dënimi, familjarët e viktimës shkaktuan momente tensioni në sallën e gjyqit. Të gjithë iu sulën Mjeshtrit, i cili qëndroi i heshtur në kafazin e qelqtë edhe pse familjarët e viktimës iu afruan dhe po i bërtisnin. Për shkak të tensioneve, shqiptari më pas u largua nga seanca.
“Do të të japin një çmim për vrasjen që ke bërë”, apo “Në Shqipëri do kishte vdekur tani", ishin disa nga fjalët që familjarët i thanë shqiptarit.

Babai Klaudio dhe nëna Lella kundërshtuan hapur vendimin e gjyqtarit duke iu drejtuar me fjalët: Nëse jeni baba, vijeni dorën në zemër! Dënimi është për vrasës dhe kriminelë. Është e pamundur që një vrasës, që na vrau djalin pa mëshirë, t'ja hedhëkështu. Unë nuk e kuptoj ligjin, por 12 vjet është një tallje për prindërit dhe për të gjithë Italinë e dinim se asnjë dënim nuk do të na e kthejë djalin tonë, por e besuam.
Ndërsa nëna e la veten të qante e dëshpëruar duke thënë: E vranë për herë të dytë. Jeta e djalit tim nuk vlen 12 vjet. Çfarë do t'i them djalit të tij adoleshent kur t'i shpjegoj dënimin?
Prentendime kishte edhe avokati i të ndjerit, njëherazi dhe xhaxhai i tij.
"Për mendimin tim ishte vendim shumë i gabuar. E vetmja gjë që mund të them është se ky vrasës, kur të dalë nga burgu dhe të kthehet në shtëpi, do të jetë në të njëjtën moshë me Xhuzepenë. Por nipi im nuk do të kthehet më në shtëpi."
Klajdi Mjeshtri, i cili punonte si roje sigurie në diskotekë, akuzohet se mbrëmjen mes 10 dhe 11 Qershorit e rrahu brutalisht Tucci-n duke i marrë jetën. Gjithçka nisi brenda ambienteve të diskotekës, ku 34-vjeçari kishte shkuar bashkë me një shok. Me pretendimin se i kishte ngacmuar të dashurën, shqiptari Mjeshtri e nxori Tucci-n me forcë nga diskoteka. Por pak minuta më vonë, 34-vjeçari u rikthye në diskotekë, duke u futur nga hyrja tjetër. Kjo duket se u bë shkak për një reagim edhe më të dhunshëm nga Mjeshtri që akuzohet se e goditi me grushta e shkelma Tucci-n duke e lënë pa ndjenja në rrugë. Giuseppe Tucci qëndroi për disa ditë në koma, deri sa ndërroi jetë për shkak të goditjeve të forta të marra./ZËRI