Aktualitet

Vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, Prokuroria kërkon 30 vite burg për Thoma Mastorën

Mastora akuzohet për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’.

F.I
Vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, Prokuroria kërkon
Thoma Mastora

GJIROKASTËR-Prokuroria e Gjirokastës ka kërkuar 30 vite burg për Thoma Mastorën, autorin e vrasjes së çiftit të të moshuarve në Kosta dhe Kleoniqi Ilia, ngjarje e ndodhur më 2 Maj të vitit 2024 në fshatin Bodrishtë të Dropullit. Mastora akuzohet për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’.

Më herët mbrojtja e Thoma Mastorës ka kërkuar masë më të lehtë sigurie për klientin e tij, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet që u raportuan më herët se Mastora është i sëmurë mendor. Avokati pretendon se Mastora nuk ka lidhje me ngjarjen, por nga hetimet e policisë janë gjetur prova që e implikojnë këtë të fundit në rastin në fjalë.

Thoma Mastora i cili kishte lidhje të ngushta prej vitesh me dy të moshuarit ka qenë i fundit person që i ka takuar. Më 30 prill, ai shkoi në banesën e tyre për të kaluar pasditen, gjë që e bënte zakonisht. Por diçka ka shkuar keq. Aq keq, sa ai i ka vrarë të dy miqtë e tij. Dyshohet se sherri mund të ketë nisur me Kostën, dhe Kleoniqi është vrarë për të mos lënë dëshmitarë, por ende është e paqartë arsyeja. E vetmja shenjë që la ishte gota e rakisë që ishte në tavolinën e ndodhur në oborrin e shtëpisë, ku u gjend i pajetë edhe 84-vjeçari Kosta Ilia.

Prej kohësh 88-vjeçarja ankohej te të afërmit e saj se 69-vjeçari i shqetësonte me praninë e tij. Por se përse nuk dihet. Thoma Mastora njihej si një njeri problematik në fshat, pasi ishte i dënuar disa herë për grabitje, megjithatë ky nuk ishte rasti. Çiftin e vrau, por nuk u prekur paratë që mbanin në shtëpi.

NJOFTIMI:

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM GJIROKASTËR

Prokuroria Gjirokastër kërkon 30 vite burgim për shtetasin Th.M. për vrasjen e çiftit të të moshuarve në Dropull

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor kërkon 30 vite burg për shtetasin Th. M. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.240, të vitit 2024, arritën në përfundimin se i pandehuri Th.M., është fajtor dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në paraqitjen e diskutimit përfundimtar kërkon dënimin e tij me 30 vite burgim për vrasjen e çiftit të të moshuarve K.I. dhe K.I., në fshatin Bodrishtë, Dropull.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Poll

MOS HUMB