TIRANË- Gjykata e Apelit ka dënuar me burgim të përjetshëm Isuf Hasa, i akuzuar për vrasjen e fqinjit të tij, Xhemal Meta, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2025. Sipas vendimit të gjykatës, Hasa është shpallur fajtor për krimin e rëndë, pasi ka vrarë Metën duke e goditur me çekiç. Gjykata e Apelit vendosi të japë dënimin maksimal, duke e konsideruar ngjarjen si një krim të rëndë me pasoja të rënda për jetën e njeriut.
Si ndodhi ngjarja
Hasa vrau me çekiç Metën që t'i vidhte një shumë parash teksa autori me viktimën kanë qenë miq prej vitesh me njëri-tjetrin dhe të dy jetonin në fshatin Shëngjin i Vogël, Qafmollë. Sipas akuzës, autori ishte në dijeni se Xhemal Meta mbante një shumë lekësh, dhe më datë 13 janar 2025 i pandehuri ka shkuar te banesa e viktimës, për të pirë sëbashku kafen e mëngjesit si zakonisht, duke marrë me vete dhe një çekiç. Pasi kanë pirë kafen, të dy kanë dalë pasi Xhemal Meta do të nisej drejt Tiranës. Isuf Hasa e ka goditur me çekiç pas koke viktimën, duke e lënë të vdekur. Ai i ka marrë paratë që mbante me vetë dhe është larguar drejt Tiranës. Paratë dhe çekiçin me të cilin vrau mikun e tij i dërgoi tek banesa e vajzës./ZËRI