TIRANË-Juliand Halili alias Xhuliano Halili alias Niko dyshohet se është autori i vrasjes së 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalos. Por kjo nuk do të jetë vrasja e tij brenda burgut, nëse rezulton të jetë autori.
Në qershor të vitit 2024 Halili mori përsipër autorësinë e vrasjes së 35-vjecarit Alfons Ndoci dhe plagosjen e 46-vjeçarit Altin Vokrri në burgun e Koridhalos. Halili ka qenë bashkëpunëtor me Ndocin gjatë arratisjes nga mjeti i transportit të të burgosurve në Portin e Pireut dhe të dy janë kapur më pas së bashku nga policia greke. Por jo vetëm krime brenda burgut.
Xhuliano Halili i njohur ndryshe si “Niko”, akuzohet se në nëntor 2011, në Kalamata, ka vrarë shqiptarët Fillim e Oligert Mesaja, 35 e 2 vjeç, me origjinë nga fshati Caj i Kukësit. Vrasja atëherë ishte porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh.
Varelas e shtyu Halilin të vriste ish-burrin e gruas së tij. Më 6 mars 2009, Halili qëlloi dy herë në kokë dhe një herë në gjoks ish-burrin e gruas së Varelasit. Ngjarja ndodhi në Nea Filadelfia, por viktima, pas disa operacioneve, arriti t’i shpëtojë vdekjes. Më 5 gusht 2009, ndaj viktimës u organizua një atentat tjetër në Igumenicë, por autorit, i cili e shënjestroi në kokë, iu bllokua arma.
Halili u hetua edhe për vrasjen e datës 11 nëntor 2008 në Mikromani të Kalamatës, ku u ekzekutua punonjësi i një diskoteke, 29-vjeçari Sotiri Psikopaida. Ai u qëllua katër herë me armë zjarri, një prej të cilave në kokë.
Vrasja e Jani Aliajt
Halili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën, Jani Aliaj dhe në qeli pranë tij. Ai rezulton i plagosur gjatë ngjarjes, çka ka shtuar dyshimet se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vrasje. Fillimisht, përgjegjësinë për krimin e mori përsipër një i burgosur grek, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, i cili iu vetëdorëzua policisë duke deklaruar se ishte autori. Megjithatë, autoritetet kanë vënë re se në trupin e tij nuk ka shenja përleshjeje, ndërsa i vetmi i dëmtuar fizikisht në vendngjarje ishte Xhuliano Halili.
Jani Aliaj u ekzekutua me thikë brenda burgut Koridhalos në Greqi më 19 janar, por informacionet mbi planin për ta vrarë Aliajn ishin të hershme për policinë greke. Sipas mediave greke, Aliaj ishte transferuar më parë në burgun e grave për arsye mbrojtjeje, duke pasur parasysh ekzistencën e një atentati kundër tij. Raportohet se dy muaj më parë Aliaj kishte marrë sulmin e parë ndaj tij në burg dhe kishte shpëtuar, por pavarësisht qartësisë për rrezikun ndaj jetës së tij, nuk u morën masa mbrojtëse.
