VLORË-Njoftimi për mbylljen e Kadastrës së Vlorës dhe shpërnguljen e saj në Tiranë është kundërshtuar nga punonjësit. Mbi 50 punonjës së Kadastrës së Vlorës, kanë firmosur gjithashtu një peticion kundër kësaj lëvizje të institucionit. Ata raportojnë se janë njoftuar më 23 janar për zhvendosjen.
Në një peticion drejtuar kreut të ASHK-së, punonjësit e Kadastrës së Vlorës thonë se vendimi për transferimin është i pakonsultuar dhe bie ndesh me parimin e shërbimit pranë territorit. Në kërkesën e tyre theksohet se vendi i ushtrimit të punës është kusht thelbësor në kontratë e çdo ndryshim bëhet me pëlqimin e punëmarrësit.




I deleguari politik për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, i pyetur nga mediat në lidhje me situatën tha se nuk kishte dijeni për këtë vendim. Sipas tij, vendimi ka dalë vetëm sot dhe ai nuk është njohur ende me përmbajtjen e tij.
“Kur ka dalë vendimi? Sot ka dalë? Nuk e di. Për mua në Vlorë do duhet të vijë dhe qeveria”, u shpreh Çuçi.
Kujtojmë se drejtimi i Kadastrës së Vlorës ka ndryshuar herë pas here kohët e fundit. Genc Deromemaj dha dorëheqjen dnë nëntor 2025 nga drejtimi i Kadastrës së Vlorës, vetëm pas 4 muajsh në atë detyrë. Deromemaj u emërua në krye të Kadastrës së qytetit të Vlorës më 24 qershor të këtij viti për të zëvendësuar Erjon Galanxhin, i cili dha dorëheqjen pas vetëm 3 muajsh në detyrë.