BELGJIKË-Procesi i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel, i filluar më 9 janar për vrasjen e Ardit Spahiut ka vijuar sot me seancën e radhës.
Gjashtë nga nëntë të akuzuarit që po gjykohen nga gjykata e Brukselit për organizimin ose ekzekutimin e vrasjes së Ardit Spahiut nuk paraqesin çrregullime mendore ose psikike që mund të ndikojnë në perceptimin e tyre të realitetit. Këtë e kanë bërë të ditur dy ekspertë, një psikiatër dhe një psikolog, të premten pasdite para gjykatës së Brukselit.
Franc Gergely, i njohur si Çopja, i dyshuar si një nga organizatorët e vrasjes së Ardit Spahiut, nuk tregoi asnjë çrregullim të dukshëm gjatë ekzaminimit nga ekspertët. Megjithatë, ata nuk vërejtën ndonjë “empati të tepruar” ndaj viktimës. Ata e përshkruan atë si një individ të pavarur dhe autonom, me karakteristika udhëheqëse.
Ekspertët gjithashtu konfirmuan se Eljo Bitri, i cili ka pranuar krimin dhe të cilit i është dhënë statusi i dëshmitarit të mbrojtur në këtë rast, ishte i pari që deklaroi gjatë ekzaminimit se e “dinte pse ishte në burg”, ndryshe nga disa të tjerë të akuzuar. Bitri, i cili ka pasur rolin e një informatori, ka përjetuar një tragjedi familjare, pasi vëllai i tij, Lulzim Bitri u vra gjatë një shkëmbimi zjarri në rrugë së bashku me Ardjan Çollakun në Elbasan. Ekspertët vunë re se Bitri ishte “shumë i prekur” nga kjo vdekje.
Për bilancet e tjera të ekspertëve, lidhur me Blerim Mamutajn, Elton Rocin, Endrit Sadedinin (i burgosur në Shqipëri) dhe Elvis Muratajn, nuk ka pasur elementë të veçantë në nivelin e personalitetit që duhej të përmendeshin.
Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Ardit Spahiu nuk ishte i panjohur për botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe në vitin 2010 u arrestua nën dyshimin për përfshirje në një vrasje në qytetin e tij të lindjes, Elbasan. Spahiu i përkiste klanit Alibej, i cili prej vitesh ishte në konflikt me klanin rival Çopja.
Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve.
Franc Çopja është krimineli i parë i drogës që është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë. Ai ndodhet në paraburgim në Belgjikë që nga fundi i vitit 2023 dhe dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e Ardit Spahiut. /ZËRI