Aktualitet

Vrau policin dhe tentoi të hidhte në erë stadiumin, Britania nuk dënon dot ushtarin e Aldo Bares

Çela ka depozituar një ankim të ri në Gjykatën e Apelit, duke zgjatur kështu procesin dhe duke u kthyer në një kosto të lartë për taksapaguesit britanikë.

F.I
Vrau policin dhe tentoi të hidhte në erë stadiumin, Britania nuk
Maksim Çela

BRITANIA E MADHE- Maksim Çela vrasësi i policit Klenti Bano 25 vite më parë në Lushnjë dhe personi që tentoi të hidhte në erë me eksploziv stadiumin 'Roza Haxhiu', vijon ende të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar. Në maj Çela, një prej njerëzve më të afërt të Aldo Bares ka humbur apelin për të fituar azil në Britaninë e Madhe, ku gjykata nuk mori në konsideratë pretendimet se i rrezikohej jeta në Shqipëri.

The Sun raporton se Çela ka depozituar një ankim të ri në Gjykatën e Apelit, duke zgjatur kështu procesin dhe duke u kthyer në një kosto të lartë për taksapaguesit britanikë. Ai ka nisur tashmë një betejë ligjore mbi bazën e të drejtave të njeriut dhe duke pretenduar se deportimi do ta vinte në rrezik torturash ose trajtimi degradues.

“Ky rast i tmerrshëm tregon gjithçka që duhet të dimë për sistemin e prishur të azilit në Britani. Ky terrorist, gangster dhe vrasës policësh qartësisht nuk ka të drejtë të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar, por po luan me sistemin si violinë dhe po qesh me ligjin”, deklaroi ish-ministri konservator i Drejtësisë, Robert Jenrick.

Çela, i cili ka lindur në qytetin shqiptar të Lushnjes, argumenton se ai ka qenë një biznesmen dhe se ka drejtuar një biznes shitje makinash në Gjermani, duke punuar gjithashtu në një klinikë dentare dhe në një spital. Por në Shqipëri, ai fillimisht u burgos pasi u zbulua komploti i tij për të shpërthyer një bombë në një stadium. Për planin, ai bëri 5 vite burg. Më pas, Çela u dënua me 25 vjet burg në shtator 2006 për 'pjesëmarrje në organizatë kriminale', për vrasjen e oficerit të policisë Klenti Bano. Ai u lirua në dhjetor 2022, pasi kishte kryer më shumë se 23 vjet nga dënimi i tij 25-vjeçar.

Në dhjetor 2022, ai u largua nga Shqipëria për në Spanjë, udhëtoi për në Itali dhe më pas fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar. Me një pasaportë false ai mbërriti në aeroportin e "Heathrow" në janar 2023. Kur u intervistua fillimisht nga Home Office, ai tha se në Shqipëri po kërkohej nga 3 banda të ndryshme që kërkonin atë dhe familjen e tij pasi e konsideronin si anëtar të 'bandës së Lushnjes'.

Në një letër drejtuar Home Office ai u shpreh se ishte gati të përmendte me emra se cilët ishin rivalët që e kërcënonin me vdekje nëse do të deportohej në Shqipëri. Por që atëherë ai e ka ndryshuar disa herë historinë e tij. Tani pretendon se nuk ka qenë kurrë anëtar i bandës së Aldo Bares, por shton se e gjitha ka një sajesë./ZËRI

Poll

MOS HUMB