TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me atentatin e djeshëm në zonën e Freskut, ku mbeti i plagosur 28-vjeçari, Juglen Abazi. Ky i fundit ka dhënë dëshmi kontradiktore mbrëmjen e djeshme, teksa anëtarë të grupit hetimor kanë tentuar sërish të marrin në pyetje 28-vjeçarin, por ende nuk është treguar i gatshëm për të dhënë një deklaratë. Blutë bëjnë me dije se autori Klejvis Caka (Lusha), që ka qëlluar me armë të riun tashmë është identifikuar dhe shpallur në kërkim, ndërsa është arrestuar njëri prej bashkëpunëtorëve të tij, Xhonatan Qerimi. Gjithashtu është shpallur në kërkim, bashkëpunëtori tjetër Andi Gurra. Dyshohet se dy bashkëpunëtorët ndihmuan autorin e dyshuar të largohej nga vendngjarja, menjëherë pas kryerjes së plagosjes.
Njoftimi:
Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Identifkohet dhe shpallet në kërkim autori i plagosjes me armë zjarri të 28-vjeçarit, ndodhur dje në mbrëmje në zonën e Freskut.
Arrestohet njëri prej bashkëpunëtorëve të tij, shpallet në kërkim tjetri.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Thoma Filipeu”, në Fresk, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 28-vjeçari J. A., specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Jetës dhe Pronës kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Në vijim të veprimeve proceduriale:
-U shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi K. C. (L.), 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-U arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Q., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”;
-U shpall në kërkim shtetasi A. G., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Xh. Q. dhe A. G. kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Lidhur me dinamikën e ngjarjes, mësohet se Abazi ndodhej brenda në automjet në momentin që u qëllua me armë zjarri. Ndërsa autori i atentatit ka qenë në këmbë dhe ka shtënë në drejtim të tij, duke e plagosur me një plumb në bark. Pavarësisht plagës së marrë, 28-vjeçari ka arritur të shkojë vetë në spital, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve./ZËRI