Aktualitet

"Zbërthehet" grupi: Yzeiraj krahu i djathtë i Salvatore Aliut, pjesë e tij edhe vrasësi i dyshuar i Mondi Mëhallës

Ndërkohë, në dosje përmendet edhe Oklid El Ouejdi, i cili dyshohet si personi përgjegjës për pritjen dhe shpërndarjen e ngarkesave me kokainë të ardhura nga Ekuadori drejt Europës.

zh.ll
"Zbërthehet" grupi: Yzeiraj krahu i djathtë i Salvatore
foto ilustrim: mondi mehalla-oklid el ouejdi-isa aliu

TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbërthyer veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, ku Salvatori Aliu kshte rolin e furnitorit të drogës, ndërsa rol kyç dyshohet se kanë pasur edhe Oklid El Ouejdi dhe Naldi Yzeiraj në organizimin dhe funksionimin e rrjetit të trafikut të kokainës.

Emri i Naldi Yzeiraj del që në episodet e para të hetimeve mbi trafikun e drogës në Belgjikë, ku ai dyshohet se ka vepruar si porositës për llogari të tij. Po ashtu, ai identifikohet se ka mbajtur kontakte të rregullta me lidhjet ekuadoriane të rrjetit në Ekuador, si dhe me persona të tjerë në Europë, të cilët dyshohet se shpërndanin edhe pjesën e tij të kokainës në tregje të ndryshme.

Sipas dosjes të siguruara nga ZËRI, Yzeiraj ka pasur rol edhe në menaxhimin financiar të aktivitetit kriminal, duke ndjekur paratë e dërguara drejt Ekuadorit dhe duke mbajtur shënime për sasitë e trafikuara. Ai dyshohet gjithashtu se ka qenë në dijeni të vendndodhjeve të magazinave në Guayaquil dhe zona të tjera ku operonte rrjeti i drejtuar nga Aliu.

"Shtetasi Naldi Yzeiraj, përdorues i PIN-it SKYECC: UQ6BëP, identifikohet si krahu i djathtë i të hetuarit Salvatore Aliu në Ekuador, me rol në organizimin e operacioneve në terren dhe menaxhimin e financave të grupit.

Sipas hetimeve, me porosi dhe orientim të dajës së tij, Salvatore Aliu, Yzeiraj ka mbajtur kontakte të rregullta me lidhjet ekuadoriane të grupit kriminal, si dhe me persona të tjerë në Europë, të cilët dyshohet se shpërndanin edhe pjesën e tij të kokainës në tregje të ndryshme.

Gjithashtu, ai dyshohet se ka pasur dijeni për vendndodhjet e magazinave në Guayaquil dhe në zona të tjera të Ekuadorit ku operonte rrjeti i drejtuar nga Aliu. Në këtë kuadër, Yzeiraj dyshohet se ka administruar edhe financat e aktivitetit, duke mbajtur shënime për paratë e dërguara drejt Ekuadorit dhe sasitë e trafikuara.", thuhet në dosje.

Ndërkohë, në dosje përmendet edhe Oklid El Ouejdi, i cili dyshohet si personi përgjegjës për pritjen dhe shpërndarjen e ngarkesave me kokainë të ardhura nga Ekuadori drejt Europës.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka shpërndarë sasi të konsiderueshme droge në disa shtete europiane, përfshirë Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Spanjën, Shqipërinë, Turqinë dhe Norvegjinë, ku në disa raste dyshohet edhe për shkëmbime me lëndë të tjera narkotike.

Në një tjetër fragment të dosjes thuhet se nga bisedat mes Oklid El Ouejdit dhe anëtarëve të tjerë të grupit, është diskutuar për sekuestrimin e një ngarkese në Roterdam më 06.06.2020, ngjarje e cilësuar si “rënia e dy punëve” në të njëjtën ditë. Po sipas hetimeve, i dyshuari Salvatore Aliu u ka kërkuar anëtarëve të grupit, përfshirë El Ouejdin, që të mbulojnë dëmin financiar të shkaktuar nga sekuestrimi i lëndës narkotike, ku ai përmendet edhe si nip i tij në komunikime të brendshme.

"Nga bisedat e përfshira në hetime, të realizuara ndërmjet Oklid El Ouejdit (S1KPKA) në një grup të krijuar prej tij, ku evidentohen komunikime me kode PIN SIPKA dhe PIN të paidentifikuara, përfshirë edhe PIN JQI8B8, mësohet se më 07.06.2020 është diskutuar për një tjetër ngarkesë të sekuestruar një ditë më parë, më 06.06.2020 në Roterdam të Holandës, e konsideruar si “rënia e dy punëve” në të njëjtën ditë.

Nga konteksti i bisedës rezulton se i hetuari Salvatore Aliu u kërkon disa personave, që sipas hetimeve janë pjesë e grupit kriminal që ai drejton, përfshirë edhe Oklid El Ouejdin, i cilësuar në komunikime si nip i tij, të mbulojnë dëmin financiar të shkaktuar nga sekuestrimi i lëndës narkotike.", thuhet në dosje. 

Kujtojmë se El Ouejdi i njohur me nofkën Kiço ose Oliver dhe nip i personazhit të njohur Timit të Elbasanit, dyshohet se ka organizuar dhe financuar atentatin ndaj Mondi Mëhallës, në datën 30 nëntor 2025.

Poll

MOS HUMB