
GREQI- Një stuhi e fuqishme goditi ishujt grekë të Paros dhe Mykonos të hënën, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë. Mediat vendase raportojnë probleme edhe në aeroportin e Chanias në Kretë, pasi tre fluturime të mëngjesit nga Athina u anuluan, fluturimi nga Paphos në Chania u ul në Heraklion, ndërsa dy fluturime nga Helsinki dhe Oslo kanë ndryshuar orar.
Në Paros, shiu i rrëmbyeshëm i ktheu rrugët në lumenj, duke marrë përpara automjetet dhe duke shkaktuar rrëshqitje dheu që ndërprenë qarkullimin.
Përrenjtë e vrullshëm rrëmbyen makinat, të cilat ishin bllokuar në rrugicat e ngushta të Mykonosit. Në disa vende niveli i ujit ka kaluar një metër, duke i kthyer rrugët në lumenj dhe duke bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Dhjetra banorë u detyruan të mbeten të bllokuar në shtëpitë e tyre, në pamundësi për t'u larguar, ndërsa autoritetet morën thirrje të vazhdueshme për ndihmë.
Për shkak të dëmeve të rënda, shkollat në Mykonos dhe Paros do të qëndrojnë të mbyllura të martën, ndërsa autoritetet kanë pezulluar gjithashtu mësimin në Rodos, Kos dhe Symi si masë paraprake. Zyrtarët paralajmërojnë se mund të shpallen mbyllje shtesë në zona të tjera në varësi të situatës.