Bota

Tronditet veriu i Kosovës! Tritol zyrës së postës në Zveçan, Kurti: Sulm terrorist

Policia ka rrethuar zonën dhe po mbledhin prova për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe autorët e mundshëm.

F.I
Tronditet veriu i Kosovës! Tritol zyrës së postës në
PAMJE NGA VENDNGJARJA

KOSOVË-Një shpërthim ka ndodhur pas mesnate te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan. Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë rreth orës 00:30, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. 

Në lidhje me ngjarjen, një reagim ka ardhur edhe nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili ka dënuar fuqishëm sulmin. Kurti tha se ky sulm është orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor. Ndër të tjera ai thotë se ky akt dhune është për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Mesazhi i plotë:

Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025. Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës. Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiç, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste. Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiç dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese. Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë. Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët. Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë.

Në këtë ndërtesë ishte vendosur shenja e Postës së Kosovës vetëm pak ditë më parë. Deri në mbylljen nga autoritetet e Kosovës vitin e kaluar, në atë vend operonte Banka e Kursimeve Postare serbe./ZËRI

Poll

MOS HUMB