MALLAKASTËR-Një parcelë me kanabis është zbuluar në Mallakastër nga Policia e Fierit. 53-vjeçari Arben Sulo dhe 34-vjeçari Elidon Shehaj janë arrestuar teksa ishin duke vaditur drogën. Në lidhje me rastin, kryeplaku i fshatit dhe 1 person tjetër i dyshuar si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, u proceduan penalisht.
Të dyshuarit gjatë kontrollit në banesë iu gjetën shuma të konsiderueshme me lekë dhe valutë; 12400 euro, 400 paund dhe 900 mijë lekë të reja dhe një armë sportive.
Njoftimi i policisë:
Gjenden dhe asgjësohen në një parcelë në fshatin Çërrilë 1881 fidanë narkotikë cannabis sativa.
Kapen në flagrancë në parcelë duke ujitur fidanët narkotikë, vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit dhe 1 shtetas tjetër i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastë, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, goditën një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, në fshatin Çërrilë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër gjetën një parcelë me 1881 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në parcelë, u kapën në flagrancë duke ujitur fidanët narkotikë, shtetasit A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë, të cilët u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në lidhje me këtë rast u procedua penalisht kryeplaku i fshatit, shtetasi I. S., 63 vjeç, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal edhe për shtetasin M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh, ku gjatë kontrollit të banesës, këtij shtetasi iu gjetën një armë sportive, 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja të cilat dyshohet se ishin në funksion të kësaj veprimtarie kriminale.
Fidanët narkotikë u asgjësuan me anë të djegies.