TIRANË- Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, është zhdukur. Familjarët e tij kanë denoncuar zhdukjen, teksa kanë zbuluar se në kontaktin e tyre të fundit, ai i kishte njoftuar se është ndaluar nga Policia dhe ishte arrestuar.
Kush është Daniel Shima? Shima ka qenë ish-zv/ drejtor i AKSHI-t, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, një ndër zyrtarët më të lartë të kësaj agjencie, direkt pas drejtueses Mirlinda Karçanaj. Në fakt, Daniel Shima ka qenë deri pak muaj më parë numri 2 i AKSHIT.
Ai u largua nga detyra në vitin 2024. Shima u shkarkua nga detyra ditën që në SPAK u thirr për t'u marrë në pyetje shefja e tij Mirlinda Karçanaj. Drejtuesja e agjencisë më të rëndësishme për menaxhimin dhe përmirësimin e sistemeve të teknologjisë dhe informacionit në institucionet shtetërore shqiptare, është marrë për disa orë në pyetje më 19 Mars 2024 në ambientet e SPAK dhe menjëherë pas daljes prej atje, është kthyer në zyrë dhe ka firmosur shkarkimin e Daniel Shimës.
Ndaj Shimës janë bërë akuza publike gjatë kohës që ishte në detyrë në lidhje me abuzimet dhe vjedhjet e tenderave të organizuara nga AKSHI, ndërsa më herët ishte raportuar se Shima ishte marrë në mbrojtje nga shërbimet e Gardës së Republikës. Për shkak të funksionit që mbante, ai gëzonte të drejtën për të pasur mbrojtje të posaçme dhe e ka përfituar atë, pasi Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit kanë vlerësuar rrezikun që i kanosej dhe seriozitetin e situatës, siç e parashikon ligji. Por, asnjëherë nuk pati informacion nëse Daniel Shima ishte kërcënuar, apo se përse i rrezikohej jeta.
Ndër të tjera, Daniel Shima rezulton pronar i disa bizneseve të njohura: (bar restorante City Art, shërbime marketingu Digitalb Euphoria, shërbime transporti DOR Sedign Studio, shërbime transportimi për armë dhe mallra ushtarake JDR Trading).
Ngjarja është regjistruar ditën e sotme, në mes të kryeqytetit. Sipas denoncimit, Shima iu ka dërguar një mesazh familjarëve ku shkruante se “po e arrestonin”, dhe që paas këtij momenti, nuk dihet më asgjë për fatin e tij. Ndërkohë, policia ka nisur veprimet për sqarimin e ngjarjes, duke sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku ai është parë për herë të fundit./ZËRI

