KLOS- Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatin Plan i Bardhë në Klos, ku flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi. Sipas burimeve, situata paraqitet alarmante dhe kërkohet ndërhyrje urgjente.
Fillimisht zjarri përfshiu dushqe, ndërsa më pas u përhap me shpejtësi duke djegur edhe një banesë, e cila rezulton e pabanuar. Ndërkohë, mësohet se në rrezik ndodhet edhe një kabinë elektrike që gjendet në perimetrin e zjarrit.
Aktualisht, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse nga Klosi, Burreli dhe Bulqiza, ndërsa pritet ndërhyrja edhe e zjarrfikësve nga Dibra dhe forcave të Ushtrisë.
Flakët vijojnë të përhapen të favorizuara nga era e fortë, ndërsa ekipet zjarrfikëse po punojnë për të vënë nën kontroll situatën. Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin zonën dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës.