VLORË- Një 33-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi dyshohet se i kanë vënë zjarrin derës së një apartamenti në lagjen "Lef Sallata, ku në momentin e ngjarjes ndodheshin dy persona, vëlla e motër.
Sipas njoftimit të Policisë, fillimisht dyshohej se zjarri mund të kishte qenë aksidental, por pas vetëm 48 orëve, blutë e Vlorës kanë identifikuar dhe vënë në pranga 33-vjeçarin Barend Hoxhaj, i dyshuar si autori i zjarrvënies.
Si pasojë e flakëve, apartamenti pësoi dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Pas njoftimit për zjarrin, shërbimet e Policisë së Vlorës shkuan në vendngjarje dhe nisën hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, 33-vjeçari dyshohet se i ka vënë zjarrin derës së apartamentit për motive konkurrence, pasi pronarët ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike si ai, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Zbardhen brenda 48 orëve, autorësia dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen "Lef Sallata", ngjarje e cila fillimisht u dyshua aksidentale.
I vuri zjarrin apartamentit në orët e para të mëngjesit, ku ndodheshin 2 shtetas (vëlla e motër), për motive konkurrence, identifikohet dhe arrestohet 33-vjeçari.
Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale të konsiderueshme në banesë.
Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 02:40 të datës 04.08.2026, se po digjej një apartament në lagjen "Lef Sallata", specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë shkuan në vendngjarje, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Si rezultat, 48 orë pas kryerjes së krimit, u mundësuan identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 33 vjeç.
Paraprakisht dyshohet se 33-vjeçari, në orët e para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, për motive konkurrence me pronarët, duke qenë se ushtronin veprimtari ekonomike të njëjtë, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr".