TIRANË- Sokol Hoxha, i cili për 29 vite i është shmangur drejtësisë, u ekstradua një ditë më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë. Ai është dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri dhe për një tjetër vrasje në Belgjikë.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për rastin duke dhënë dhe detaje se si Hoxha arriti t’i shmangej autoriteteve për gati tri dekada.
Sipas Ambasadës, Hoxha ka përdorur një identitet të rremë, ka siguruar status ligjor në një tjetër vend europian dhe më pas ka përfituar qëndrim të përhershëm në SHBA.
Në fund, Ambasada thekson se rasti i Hoxhës është një kujtesë se SHBA nuk është strehë për ata që keqpërdorin emigracioni për t’i shpëtuar llogaridhënies për krimet e kryera jashtë vendit.
Postimi i plotë i Ambasadës:
Sokol Hoxha mendoi se mund t’i shpëtonte së kaluarës së tij. I dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri (2000) dhe për një vrasje tjetër në Belgjikë (2010), Hoxha kaloi dekada duke iu shmangur autoriteteve të zbatimit të ligjit — duke përdorur një identitet të rremë, duke siguruar status ligjor në një tjetër vend europian dhe, përfundimisht, duke përfituar qëndrim të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nën një emër të rremë.
Kjo ndryshoi falë punës së palodhur të Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë. Duke bashkëpunuar me Shërbimin e Marshallëve në SHBA, ICE, Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar, DSS luajti një rol kyç në identifikimin e saktë të Hoxhës — duke zbuluar një periudhë gati 30-vjeçare fshehjeje të identitetit të tij.
Ky rast është një kujtesë e fuqishme: Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për ata që keqpërdorin sistemin tonë të imigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të dhunshme të kryera jashtë vendit. DSS është krenare që qëndron përkrah partnerëve tanë vendas dhe ndërkombëtarë në këtë mision.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekstraduan rejt Shqipërisë, me Charter Flight, 51-vjeçarin Sokol Hoxha, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe qëndroi për 29 vite në arrati. Policia e Shtetit publikoi pamjet e ekstardimit ditën e sotme të 51-vjeçarit, duke njoftuar se operacioni është zhvilluar nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet e SHBA-së, Anglisë dhe Belgjikës.
Hoxha ra në prangat e autoriteteve amerikane pas një kërkimi të gjatë nga drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai kërkohej që prej vitit 1997, për vrasje të kryera në Shqipëri dhe Belgjikë.
Në mars të vitit 1997, Sokol Hoxha vrau dy vëllezër në Patos. Pesë muaj më vonë, ai vrau në Belgjikë një shtetase shqiptare, të cilën më herët e kishte shfrytëzuar për prostitucion. Në vitin 2000, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Fierit për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Pas arrestimit të tij në SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimin me palën belge për të koordinuar edhe vuajtjen e dënimit të dhënë në Belgjikë./ZËRI
