TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se aktualisht janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 5 janë aktive dhe 4 nën monitorim.
Në Dajt situata vijon të mbahet nën monitorim. Në Cikallesh të Kavajës zjarri është shuar plotësisht, ndërsa në Priskë të Madhe vijojnë ndërhyrjet me 4 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe një helikopter.
Në Mallakastër, vatrat në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar dhe po monitorohen. Nën kontroll të plotë është vënë edhe zjarri në Drenie të Patosit. Në Krujë, zjarri në Abaze mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat.
Ndërkohë situata më alarmante paraqitet në Krastë, pasi zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në një masiv pyjor. Në terren po operojnë forcat vendore, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Në Vilëz të Kurbinit, ndërhyrja e forcave vendore dhe 35 efektivëve të FA-së mundësoi shuarjen e plotë të zjarrit rreth orës 13:00.
Aktive vijojnë të jenë edhe vatrat në malin e Nemëçkës në Përmet dhe në zonën Goraj-Budishë në Malësi të Madhe. Për shkak të terrenit të vështirë dhe lartësisë së madhe, ndërhyrja paraqet vështirësi, por aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ministria njofton se asnjë vatër zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në terren janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse, 153 forca operacionale, 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
NJOFTIMI I PLOTË:
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse dhe 153 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Dajt, zona vijon të mbahet në monitorim.
Në Cikallesh, bashkia Kavajë, zjarri është shuar plotësisht dhe po mbahet nën monitorim, ndërsa në Priskë e Madhe vijon puna me 4 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe mbështetjen e 1 helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Mallakastër, vatrat në Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen janë shuar plotësisht dhe po mbahen në monitorim. Edhe zjarri në Drenie, bashkia Patos, është vënë nën kontroll të plotë dhe vijon monitorimi.
Në Krujë, zjarri në Abaze vijon aktiv, por nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në Krastë, zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në masiv pyjor; në terren po operojnë forcat vendore, 50 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, ndërhyrja e forcave vendore dhe 35 efektivëve të FA-së bëri të mundur shuarjen e plotë të zjarrit në orën 13:00.
Aktive mbeten gjithashtu vatrat në malin e Nemëçkës, bashkia Përmet, dhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe. Të dyja ndodhen në terrene të vështira dhe në lartësi të mëdha, por nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në të gjitha vatrat aktive puna vijon, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin./ZËRI