KRUJË- Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se zjarri në Krujë është vënë plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm. Ministria e Mbrojtjes thekson se një pjesë e mbetur e malit të Krujës vijon të jetë në flakë, por po menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
View this post on Instagram
Situata sot paraqitet e qetë, pasi katastrofa e mundshme nga ky zjarr u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivëve të Forcave të Armatosura. Po ashtu, ministria konfirmon se dëmi i shkaktuar nga zjarri është vetëm një magazinë biznesi e shkrumbuar dhe, fatmirësisht, asnjë banesë nuk është djegur.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Zjarri në Krujë u dominua plotësisht! Që prej orës 06:00 të mëngjesit, është vendosur plotësisht nën kontroll, falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave operacionale. Një pjesë e mbetur në majë të malit po menaxhohet nga ajri, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
Situata është krejtësisht e qetë dhe, fatmirësisht, një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.
Pjesa më e madhe e këtyre forcave tashmë janë rishpërndarë. Vetëm një godinë rezulton e shkrumbuar nga zjarri, konkretisht një magazinë e një biznesi. Fatmirësisht, nuk ka asnjë jetë të cenuar dhe asnjë banesë të djegur.
Falënderim dhe mirënjohje pa kufij për përkushtimin dhe sakrificën e veçantë të secilit prej efektivëve të forcave operacionale, që luftuan në mënyrë të paepur për shuarjen e zjarrit masiv në malin e Krujës!/ZËRI