KRUJË- Evakuimi i banorëve pranë zonave që u përfshinë nga zjarri masiv në Krujë ka qenë fokusi i autoriteteve në vend. Shumë qytetarë kanë refuzuar të evakuohen nga banesat, por autoritetet janë detyruar t’i nxjerrin me forcë.
Për shkak të kësaj situate, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kanë bërë thirrje publike që të gjithë banorët të evakuohen dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për të shmangur rrezikun.
“Ju lutem, kemi bërë thirrje vazhdimisht për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit për t’u evakuuar nga shtëpitë të cilat janë pranë vatrave të zjarrit këtu në Malin e Krujës. E kuptojmë që pasuria dhe prona bëhen me shumë mund dhe me kursimet tuaja gjatë gjithë jetës, janë të shenjta, por nuk ka gjë më të shtrenjtë se jeta. Ju lutem, bashkëpunoni me forcat e Policisë, evakuoni menjëherë nga banesat tuaja. Kjo është për jetën tuaj, për jetën e familjarëve tuaj dhe për jetën e oficerëve të Policisë, të cilët duan më të mirën për ju dhe familjarët tuaj”, tha Lamallari.
Të njëjtën thirrje e bëri dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi: “Thirrja jonë është vetëm për ju. Ju lutem, bashkëpunoni me forcat e Policisë, me Forcat e Armatosura, për evakuimin nga banesat. Ndërkohë, siç e shikoni, ne kemi këtu dhe kemi marrë çdo masë në mënyrë që të parandalojmë sa më shumë përhapjen e flakëve të zjarrit, por jeta juaj është prioritet. Jeta e çdo qytetari është prioritet”.
Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në terren dhe nga ajri u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, droni Bayraktar TB2, 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca. /ZËRI