LIBRAZHD- Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë masivin pyjor të Malit të Polisit, në Njësinë Administrative Polis të Bashkisë Librazhd, duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme me pyje. Flakët po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe thatësira, ndërsa situata paraqitet shqetësuese për banorët e zonës.
Në terren kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe shërbimi pyjor, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave. Ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit të thepisur malor, që kufizon lëvizjen e mjeteve dhe aksesin në disa prej zonave të përfshira nga zjarri. Paraprakisht, autoritetet dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Ndërkohë, puna vijon për të parandaluar përhapjen e flakëve në pjesë të tjera të masivit, ndërsa pas shuarjes së zjarrit pritet të përcaktohet edhe sipërfaqja e dëmtuar./ZËRI