ITALI-Një 20-vjeçar shqiptar është plagosur me armë zjarri nga Policia italiane pasi tentoi të largohej me makinë gjatë një kontrolli policor. Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në provincën e Piza, ku karabinierët u vunë pas shqiptarit pas një telefonate nga një grua.
Gruaja kërkoi ndihmë duke deklaruar se djali i saj i mitur po shantazhohej. Sipas denoncimit, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët kishin kërkuar rreth 1 mijë euro për t’ia kthyer.
Me mbërritjen e patrullës, një nga personat e dyshuar ka tentuar të largohet me makinë dhe dyshohet se ka përplasur automjetin e një karabinieri. Pas kësaj, policia ka nisur një ndjekje që ka zgjatur disa kilometra, nga Bientina deri në Montopoli. Gjatë ndjekjes, karabinierët kanë qëlluar pesë herë me armë zjarri, duke plagosur 20-vjeçarin me dy plumba. I riu është ndihmuar nga shërbimet mjekësore dhe është transportuar në spital.
I riu shqiptar ndodhet në spital, ndërsa raportohet se gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë. Hetimet për ngjarjen vijojnë./ZËRI