
ITALI- Oficerët e Guardia di Finanza të Como, gjatë një kontrolli rrugor me qëllim luftimin e trafikut të paligjshëm, ndaluan një makinë me targa spanjolle në Appiano Gentile. Sipas mediave të huaja, në automjet ndodheshin tre persona, dy spanjollë dhe një kroat.
Duke qenë se ngjallën dyshime për nervozizmin e tyre dhe mungesën e bagazheve, financierët vazhduan të kontrollonin automjetin, duke zbuluar brenda saj disa gramë marijuanë, rreth 28 500 euro cash dhe një faturë transporti për një pako që vinte nga Malaga me destinacion Legnano.
Më pas, oficerët kanë kapur dërgesën që arrinte në Itali me korrier. Personi që përfundoi në pranga, me origjinë shqiptare i paidentifikuar me emër, duket se jeton në Itali pa ushtruar asnjë aktivitet pune.
Oficerët kontrolluan shtëpinë e të arrestuarit, duke gjetur edhe 20 gramë lëndë narkotike të ndarë në pako dhe gati për shitje, si dhe material paketimi, një peshore dixhitale, një agjendë, një smartphone, dy karta sim dhe 300 euro cash./ZËRI