
DURRËS- Ka dalë para gjykatës së Durrësit 40-vjeçari Aleks Marku, i cili u arrestua nga dy ditë më parë, pasi mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur dhe qëlloi me armë zjarri në ajër. Marku është lënë nën masën e arrestit me burg, ndërsa Gjykata pritet që të urdhërojë që Marku ti nënshtrohet analizave psikologjike.
40-vjeçari në dëshminë e tij të dhënë për grupin hetimor ka thënë se ka qëlluar me armë pasi dyshonte se do ta sulmonin të dashurit e bashkëshortes së tij, personat me të cilat kishte konflikte.
Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtari Shkëlzen Licaj, ndërsa prokuroria përfaqesohej nga Sokol Nishani. Seanca u zhvillua me dyer te mbyllura.
Edhe në Gjykatë, Marku i ka qëndruar versionit të tij, se nuk i ka mbajtur peng fëmijët, por i ka pasur si dëshmitarë në sulmet që po i bëheshin nga persona të tretë.
“Unë me fëmijët kam katër ditë që qëndroja në shtëpi në plazh dhe fëmijët ishin shumë mirë me mua. Gruaja kishte ikur në Itali dhe kemi disa kohë që kemi debate me njëri-tjetrin. Nga debati i fundit që patëm ajo u largua për në Itali dhe unë mora fëmijët dhe erdhëm në Durrës. Ajo ka dashnor dhe prandaj doja t’i largoja fëmijët. Dje në shtëpi kanë ardhur dashnorët e saj për të na sulmuar dhe unë prandaj dola në dritare duke qëlluar që të largoheshin. Nuk i kam bërë gjë fëmijëve, thjesht djalin e mora me vete në ballkon kur po qëlloja, që ta kisha dëshmitar. Nuk jam treguar i dhunshëm me fëmijët”, është shprehur Marku.
/ZËRI