
TIRANË- Në Shqipëri kanë mbërritur votat e para të emigrantëve shqiptarë. Votat kanë mbërritur, tre ditë para shpërndarjes zyrtare të fletëve të votimit për emigrantët. Kutitë përkatëse për votat e emigrantëve shqiptarë janë vendosur në Parkun Olimpik në Tiranë dhe janë nën vëzhgim të vazhdueshëm përmes kamerave të sigurisë.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bashkë me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, kanë marrë në dorëzim zarfet. Pasi të kontrollohen për dëmtime, fletët e votimit do të sistemohen sipas qarqeve përkatëse. Me ndihmën e një pajisjeje të posaçme elektronike, do të përcaktohet se nga cili shtet ka ardhur çdo votë dhe për cilin qark është destinuar.
Njëlloj si të votuesve nga territori shqiptar, edhe fletët e votimit të zgjedhësve nga jashtë do të hapen më 11 maj.
Në total janë 245,975 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët do të ushtrojnë të drejtën e votës. Për herë të parë, emigrantët do të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj./ZËRI