Aktualitet

3-vjeçari humbi jetën në Shkodër, babai: Nuk e di ç'ka ndodhur me djalin! Mediat të jenë të kujdesshme

Babai mohon pretendimet se vdekja e djalit mund të ketë ardhur nga përdorimi i një bari për minjtë.

k.m.
3-vjeçari humbi jetën në Shkodër, babai: Nuk e di
Pamje nga spitali i Shkodrës

SHKODËR- Samed Hasmegaj ka reaguar disa ditë pasi i biri, 3-vjeç, ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, ndërkohë që e bija është në gjendje të rëndë për jetën. Në një reagim të parë pas ngjarjes, babai mohon pretendimet se vdekja e djalit mund të ketë ardhur nga përdorimi i një bari për minjtë. Në "Euronews", ai tha se nuk ka një informacion të qartë për shkakun e vdekjes të së birit. Ndaj po pret edhe përfundimin e hetimeve. Megjithatë kërkoi nga media dhe jo vetëm që të mos ketë spekulime. 

“As vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me djalin. Mediat kanë abuzuar me lajmet, unë vetë nuk i kam parë, por më kanë thënë të afërmit që në lajme thuhet se djali ka ndërruar jetë nga ilaci që mund të kem përdorur për minjtë, kjo nuk është e vërtetë. Mjekët më thanë në fillim se ndoshta mund të ketë qenë një gjendje gripale, por nuk e di. Pritemi të më thonë më shumë mjekët. Vajza është ende në gjendje të rëndë, mjekët nuk më kanë thënë ende se sa do të qëndrojë në spital. Edhe bashkëshortja është në spital dhe ndodhet në një gjendje jo të mirë shëndetësore,”-tha babai i fëmijëve

Gjithashtu kanë reaguar edhe familjarët e 3-vjeçarit, duke hedhur poshtë aludimet se mjekët nuk e kanë trajtuar siç duhej fëmijën, madje kanë falenderuar stafin mjekësor për përpjekjet e bëra. 

Aktualisht në gjendje të rëndë është edhe motra e të miturit, e cila do të dërgohet për kurim më të specializuar në Turqi. Ndërsa ende nuk ka asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të nënës së dy fëmijëve, e cila për shkak të traumës dhe gjendjes së rëndë psikologjike ka bërë lindje të parakohshme. Në kushte urgjente ajo i është nënshtruar një operacioni dhe aktualisht, edhe ajo është në gjendje të rëndë për shkak të traumës së shkaktuar nga humbja e fëmijës dhe gjendja kritike në të cilën ka të bijën e mitur./ZËRI 

Poll

MOS HUMB