
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një aksion në Universitetin Bujqësor në Kamëz, ku lëshoi 24 masa sigurie. Aksioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve që zbuluan abuzime me disa tendera në UBT. Zyrtarët dyshohen se manipuluan kriteret për tenderat dhe përfituan 3 kompani duke përfituar 90 milionë lekë.
Por, kjo nuk është hera e parë që një skandal ndodh në Universitetin Bujqësor, pasi edhe në vitin 2022 u abuzua me fondet dhe 4 zyrtarë përfituan duke manipuluar tenderat. Në pranga të Policisë ranë, Ali Rasha, me detyre Drejtor i Fermës Didaktike Eksperimentale ne Universitetin Bujqësor Tiranë; Tahir Ballgjini me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Bujqësisë; Rushit Suna, me detyrë specialist i sektorit të bujqësisë; Ahmet Mejdani, me detyrë magazinier në magazinen qendrore në Universitetin Bujqësor Tiranë.
Hetimi nisi pasi një punonjës ngriti një kallëzim ndaj drejtorit Rashës, pasi e lajmëroi se plehrat kimike dhe imputet bujqësore nuk ishin në gjendje sipas procesverbaleve. Sipas, punonjësit të magazinës, drejtori i kërkoi ta firmosë dokumentin në mirëbesim të plotë, pasi pjesa tjetër e malli do të vijë së shpejti.
Sipas fletëhyrjes në magazinë, vlera e mallit ishte 10.5 milionë.
“Kallëzuesi në mirëbesim ka nënshkruar fletëhyrjen dhe ka deklaruar se malli për shumën 3.7 milionë lekë nuk është bërë asnjëherë hyrje në magazinë dhe nga kjo shumë, kallëzuesi, po në mirëbesim, ka nënshkruar një fletëdalje për shumën e mallit 1.958.500 lekë”, thuhej në njoftimin e Policisë në vitin 2022.
Prokuroria lëshoi më pas urdhër arrestin 4 të akuzuar për veprat penale: vjedhje, korrupsion dhe shpërdorim detyre me këtë tende.
Gjatë hetimeve u zbuluan dhe disa raste të reja me akuzat për korrupsion dhe abuzimin me tenderat. 4 punonjësit kishin blerë disa pajisje që ishin pothuajse dy herë më shumë se shumë që shiteshin në treg. Një prej tyre ishte një ‘blender’, e cila me kosto normale në treg do të kushtonte 30.000 lek të reja, por ata e kanë paguar për plot 276.000 mijë lekë të rinj. Por grirësi nuk është i vetmi, pasi kanë blerë edhe një frigorifer “Beko”, që në treg mund të blihet për 30.000 mijë lekë të rinj, por në Universitetin Bujqësor u ble me shifrën rekord të 108.800 lekë të reja. Katër zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë dyfishuar vlerën çdo pajisjeje.

Në skemën e mashtrimit u përfshi edhe emri i rektorit dhe i shefes së Financave që firmos listën me honoraret, edhe pse nuk ka lidhje pasi nuk është staf akademik. Emri i rektorit të Universitetit, Fatbardh Sallaku, u përdor nga Ali Rasha me personin që ka bërë kallëzimin, për të justifikuar blerjet e tij dhe abuzimet me tenderat.
Asokohe, Sallakut iu sekuestrua telefoni duke u futur në aeroportin e Rinasit. Përveç tij u sekuestruan telefonat e tre dekanëve dhe shefit të financave. Kontrollet u zhvilluan në kuadër të një hetimi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Burime për ZËRI-n bënë me dije se bëhej fjalë për çështje korrupsioni mes zinxhirit të punonjësve./ZËRI