Aktualitet

54% e banorëve të fshatrave vuajnë nga rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social, rekord në Europë

Më shumë sesa gjysma e banorëve në fshatrat shqiptare (54%)  vuajnë nga rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat, niveli më i lartë në Europë.

Redaksia Zëri
54% e banorëve të fshatrave vuajnë nga rreziku i
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Shqipëria ka një kontrast të fortë mes varfërisë në zonat rurale, që është shumë më e lartë se ajo urbane, ndryshe nga Bashkimi Europian, ku diferenca mes fshatit dhe qytetit është e papërfillshme.

Më shumë sesa gjysma e banorëve në fshatrat shqiptare (54%)  vuajnë nga rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat, niveli më i lartë në Europë.

Kjo do të thotë se 54% e popullsisë në fshat plotësojnë të paktën një nga këto tre kritere:

-Janë në rrezit të varfërisë monetare – të ardhurat e një personi janë më të ulëta se 60% e mesatares kombëtare.

-Kanë mungesa materiale ose sociale të rënda – personi nuk ka mundësi të përballojë shpenzime bazë si ngrohja, pagesa e faturave, blerja e ushqimit, rrobave, pushimeve etj.

-Jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune – kur të rriturit në një familje punojnë shumë pak ose aspak gjatë vitit.

Eurostat ka publikuar të dhënat e vendeve të BE-së për vitin 2024, ndërsa informacioni më i fundit nga Shqipëria është i vitit 2022 (shiko grafikun). Në Bashkimin Europian, treguesi i varfërisë dhe përjashtimit social në zonat rurale është shumë më i ulët sesa Shqipëria, në vetëm 21.4%.

Në zonat rurale të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, treguesi është në rreth 32-33%, ndërsa mungojnë të dhënat për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën e Malin e Zi.

Diferencë e fortë fshat-qytet

Në zonat urbane treguesi i varfërisë dhe përjashtimit social në Shqipëri ishte 37.6%, gati 14 pikë përqindje më i ulët se në zonat rurale. Pavarësisht diferencës me fshatin, në krahasim me mesataren e BE-së dhe rajon, popullsia që jeton në qytet sërish ka një nivel më të lartë varfërie.

Mesatarja e Bashkimit Europian për zonat urbane është 21%, nga 21.4% që ishte për zonat rurale, që tregon se pasuria është e shpërndarë njëtrajtësisht në të gjithë rajonin.

Edhe në krahasim me rajon, Shqipëria mbetet pas. Maqedonia e Veriut e ka treguesin 25.9%. Më të ulëtin e ka Serbia, ne 14.7%.

Mesatarja kombëtare

Në rang kombëtar, 40.5% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, për vitin 2024, sipas të dhënave që u publikuan së fundmi nga INSTAT. Ndonëse në krahasim me vitet e mëparshme rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social është ulur (nga 44.5%), që ishte në 2022, të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se Shqipëria ka nivelin më të lartë në Europë dhe sa dyfishi i mesatares së BE-së prej 21%.

Në rajon, varfërinë dhe përjashtimin social më të ulët e ka Serbia, me 24.3%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (30%, me të dhënat e vitit 2023) dhe Mali i Zi me 34.1% (të dhënat e vitit 2022). Mungon informacioni për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën./Monitor

Poll

MOS HUMB